Arrestohet 21-vjeçari në Vlorë, për kundërshtim me forcë ndaj policisë
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka arrestuar një 21-vjeçar, shtetasin A. Ll., i cili akuzohet për kundërshtim me dhunë ndaj një punonjësi të Policisë së Qarkullimit Rrugor.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, në Rrethrrotullimin e Çoles, gjatë kryerjes së detyrës nga policia.
Ndërkohë, Specialistët e Stacionit të Policisë Orikum kanë raportuar një tjetër incident të rëndësishëm, ku në Radhimë ka shpërthyer një zjarr, i cili ka shkatërruar një beach-bar dhe disa struktura të tjera druri në plazh. Sipas hetimeve të deritanishme, zjarri ka shkaktuar vetëm dëme materiale, pa pasur të lënduar.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan shtetasin A. Ll., 21 vjeç, banues në Vlorë, pasi më datë 17.04.2025, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Çoles”, ka kundërshtuar me dhunë, gjatë kryerjes së detyrës, një punonjës të Qarkullimit Rrugor.
Specialistët e Stacionit të Policisë Orikum referuan materiale në Prokurori, pasi ditën e djeshme, rreth orës 16:00, në Radhimë, dyshohet se për shkaqe aksidentale ka rënë zjarr dhe është djegur fillimisht një beach-bar, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur edhe çadrat e vendosura në plazh, si dhe disa struktura të tjera druri, në vijim të vijës së parë të plazhit në atë zonë. Nga zjarri janë shkaktuar vetëm dëme materiale, pa dëmtime në njerëz. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

