Rama: Progres i madh i industrisë prodhuese në Shqipëri
Prodhimi i veshjeve të sportit profesionist për tregun europian është një sektor që po njeh rritje të konsiderueshme në Shqipëri, duke u shndërruar në një shembull konkret dhe pozitiv të progresit që ka bërë industria prodhuese shqiptare vitet e fundit.
Ky zhvillim lidhet me përmirësimin e kapaciteteve teknike dhe teknologjike dhe rritjen e standardeve të cilësisë për përshtatjen me kërkesat e tregjeve ndërkombëtare.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, vizituan sot në Kashar (Tiranë) fabrikën e “DBS Group”, një nga katër kompanitë më të mëdha në Europë në tregun global të veshjeve sportive, ku Shqipëria, e cila përbën një nga bazat kryesore të grupit, po kthehet në qendrën e tij.
Ministrja Ibrahimaj informoi se 800 punëtorët e kësaj kompania kanë pagë mesatare neto mbi 700 euro.
“Nuk ka asnjë punëtor që paguhet më pak se 700 euro neto. Kanë një sistem shumë të mirë të bonusit dhe të ecjes në karrierë, që do të thotë se një punonjës që fillon sot punë në këtë kompani ka një perspektivë për t’u rritur”, u shpreh ministrja.
Ajo foli edhe për eficiencë të kompanisë për shkak të automatizimit të procesit.
“Kompania ka automatizuar proceset dhe ndjek një sistem efikas pune. Ka arritur që të kursejë 11% të kostove të veta, që përkthehet në 20 mijë euro në ditë më pak shpenzime vetëm nga automatizimi i proceseve”, tha ajo.
Rama e cilësoi këtë kompani si një shembull pozitiv i progresit të madh të industrisë prodhuese në Shqipëri.
“Një vend ku punohet sipas standardeve europiane në shtatë departamente të ndryshme, për prodhimin e veshjeve të sportit profesionist për tregun europian, si edhe një shembull pozitiv i progresit të madh të industrisë prodhuese në Shqipëri dhe i trajtimit europian të 800 punonjësve”, theksoi ai.
Nga ana e tij, drejtuesi i kësaj kompanie, një ndër katër kompanitë më të mëdha në prodhimin e veshjeve sportive, foli për zgjerim të aktivitetit të tij, ndërsa paralajmëroi edhe shtrirjen e aktivitetit të tij në Rumani, me blerjen e një kompanie atje.
Fabrika ofron një gamë të gjerë produktesh për meshkuj, femra dhe fëmijë, duke përfshirë veshje sportive si kostume për çiklizëm, vrap, det dhe pishinë, si dhe veshje të brendshme me cilësi të lartë. Ajo bashkëpunon me marka të njohura ndërkombëtare.


