VIDEO/ KQZ: Koordinator sigurie në qendrat e votimit për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor
Kryekomisionieri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, ka shqyrtuar sot në një seancë publike, projektvendimin Nr. 3 “Për një ndryshim të vendimit nr. 351, datë 29.03.2025, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për caktimin e vendeve të numërimit të votave për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025”.
Gjatë seancës u shqyrtua kërkesa për ndryshimin si qendër numërimi votash, nga palestra e shkollës “Hasan Prishtina” dhe transferimi në palestrën e shkollës “Bajram Curri”.
Sipas KZAZ-së Nr. 35 në kryeqytet, në datë 3 prill është kërkuar ndryshimi i palestrës nga shkolla “Hasan Prishtina” dhe transferimi në palestrën e shkollës “Bajram Curri”, në një ambient që plotëson kushtet infrastrukturore, me sipërfaqen e kërkuar më pak se 200 metra katrorë dhe brenda kufijve territorialë të ZAZ 35.
Kreu i KQZ-së tha se KZAZ në unanimitet ka miratuar ndryshimin e kësaj vendndodhjeje.
Një tjetër pikë që u shqyrtua gjatë seancës publike, ishte edhe projekturdhri “Për rendin dhe sigurinë në objektet ku janë vendosur qendrat e votimit, si dhe përreth tyre, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025.”
Sipas këtij projekturdhëri, parashikohet edhe një funksion shtesë për anëtarët e komisionit të qendrës së votimit që është ai i detyrës së koordinatorit të sigurisë. Me vendimin Nr. 12 datë 30.12.2020 parashikohen mënyrat e komunikimit me policinë nëpërmjet sekretarit të KZAZ-së apo formularëve të posaçëm si dhe nxitja e sigurisë në perimetrin e jashtëm të QV duke i dhënë të drejtën për të thirrur policinë edhe koordinatorëve të sigurisë.
Projektvendimi ka si synim të vendosë rregulla të qarta për qëndrimin e personave në dhe përreth ambienteve zgjedhore për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“Ky urdhër, i zbatuar edhe më parë, vendos strukturimin e rolit të koordinatorit të sigurisë, një mekanizëm i ri ky për të përforcuar kontrollin e jashtëm në qendrat e votimit. Synon të identifikojë grumbullimin e personave të paautorizuar dhe ushtrimin e presioneve që janë evidentuar si problematika më herët. Rregullorja parashikon përcaktimin e dy koordinatorëve të sigurisë një nga mazhoranca dhe një nga partia më e madhe opozitare”, u shpreh një prej përfaqësuesve të KQZ-së.
Celibashi tha se ky projektakt i miratuar, bashkë me rekomandimet e KRIIK (Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara) do t’u shpërndahet KZAZ-ve dhe Policisë së Shtetit.

