VIDEO/ Presidenti i KiE: Anëtarësimi i Ballkanit, investim i rëndësishëm gjeostrategjik! Rama: Të përkushtuar për të përmbushur detyrimet

Shqipëria do të çelë grupkapitullin e dytë të negociatave me Bashkimin Europian – “Tregu i Brendshëm”, në Konferencën e katërt ndërqeveritare Shqipëri – BE, e cila do të mbahet ditën e sotme në Luksemburg.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa ka deklaruar se zgjerimi i BE drejt Ballkanit Perëndimor është një investim i rëndësishëm gjeostrategjik për paqen e sigurinë.

Kryeministri Edi Rama, kryeson delegacionin shqiptar në këto bisedime, i përbërë nga ministra, zëvendësministra dhe drejtues të punës për kapituj përkatës.

Ai u prit fillimisht nga Presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa me të cilin do më pas do të udhëtojë drejt Luksemburgut për të marrë pjesë në Konferencën e katërt ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Në një prononcim për mediat pas takimit me kryeministrin Edi Rama, me të cilin do të udhëtojë drejt Luksemburgut për Konferencën e Katërt Ndërqeveritare ku pritet të hapet grupkapitulli i radhës, Costa u shpreh se është Europa është mirë të jetë e bashkuar, pasi bota ka nevojë për një gjë të tillë.

Antonio Costa: “I gëzuar që pres kryeministrin Rama, gjithmonë kënaqësi të flasim e të diskutojmë, e dyta, zgjerimi i BE drejt Ballkanit Perëndimor është një investim i rëndësishëm gjeostrategjik për paqen e sigurinë.

Inkurajuese të shohësh progresin e Shqipërisë në këtë drejtim. Çelet sot grupkapitulline radhës. E rëndësishme të jemi bashkë sepse bashkë jemi më të fortë dhe bota ka nevojë për një Europë më të fortë”, tha ai.

Edi Rama: “Me mençurinë e vëmendjen e tij e vlerësoj shumë. Sot është një ditë shumë e mirë për ne, sepse kemi një tjetër konferencë dhe çelim kapituj të tjerë, ndërsa me presidentin jam shumë mirënjohës për kohën që më ka kushtuar për një bisedë rreth përparimit tonë në këtë proces dhe samitin e ardhshëm të komunitetit politik evropiuan. Ka shumë për të diskutuar por jam shumë i inkurajuar nga këto zhvillime dhe jemi shumë të përkushtuar për të përmbushur detyrimet e kalendarit ambicioz për të mbyllur negociatat në 2027”.

KONFERENCA E SOTME

Në konferencën ndërqeveritare do të diskutohet për avancimin e proceseve të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Deri tani, janë mbajtur tre konferenca ndërqeveritare që kanë pasur si objektiv diskutimet dhe përparimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit.

Konferenca e parë ndërqeveritare u mbajt më 19 korrik 2022 në Bruksel, ku u hapën negociatat për Klasterin 1, i cili përfshin disa kapituj në fusha të ndryshme. Ky grup-kapitull ishte një nga më të rëndësishmit, duke prekur aspekte thelbësore si drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike, prokurimi publik dhe reforma e administratës publike.

Konferenca e dytë u zhvillua më 15 tetor 2024, gjithashtu në Luksemburg, ku u hapën negociatat për një grup-kapitull të rëndësishëm, që trajton tematikat e drejtësisë, gjyqësorit dhe institucioneve demokratike. Hungaria, e cila mbante presidencën gjashtëmujore të BE-së, organizoi këtë konferencë pas arritjes së marrëveshjes mes vendeve anëtare që Shqipëria kishte përmbushur kushtet për hapjen e grup-kapitullit të parë që lidhet me të drejtat themelore.

Konferenca e tretë ndërqeveritare u mbajt më 17 dhjetor 2024 në Bruksel dhe u zhvillua në nivel ministror, duke shërbyer për hapjen e negociatave për Klasterin 6: Marrëdhëniet e jashtme, përfshirë kapitujt “Kapitulli 30 – Marrëdhëniet e jashtme” dhe “Kapitulli 31 – Politika e jashtme, e sigurisë dhe mbrojtjes”.