VOTAT NË ITALI! Rama takim në Milano në orën 15:00, në 16:00, Berisha miting elektoral në Brescia

Dy mitingje elektorale në Itali këtë të diel, nga dy krerët kryesorë të politikës shqiptare. Edi Rama ndalet në Milano, ndërsa Sali Berisha në Breshia  të dy me mesazhe për shqiptarët e diasporës. Italia është destinacioni i parë elektoral, pasi nga ky vend vijnë mbi gjysma e emigrantëve që janë regjistruar për të votuar në 11 maj.

Dy krerët e partive kryesore në vend do ta zhvendosin fushatën në Itali të dielën. Kreu i Partiasë Socialiste Edi Rama do të ndalet në Milano aty ku do të zhvillojë mitingun elektoral në orën 15:00 në qendrën e kongreseve të panaireve në Malpensa.

Ky takim pason vizitën e para dy javëve në Greqi, ku Kryeministri u ndal fillimisht në Kretë dhe më pas në Athinë, gjithashtu në kuadër të të njëjtit tur me diasporën shqiptare.

Ndërkohë, më herët gjatë këtij turi, kreu i Qeverisë ka zhvilluar takime me shqiptarët edhe në Düsseldorf (Gjermani), në Nju Jork (SHBA), si dhe në Londër (Angli).

Nga ana tjetër, kryedemokrati Sali Berisha do të zhvillojë miting në Breshia të Italisë në orën 16;00.

Berisha dhe ekipi i tij mbërritën në orët e vona të së shtunës në Itali ku u pritën nga demokratët atje.

Jo më kot partitë politike kanë zgjedhur Italinë në mitingjet e tyre të para elektorale, pasi nga  245.953 emigrantë që janë regjistruar për të votuar për 11 majin nga e gjithë bota, numri më i lartë i votuesve nga jashtë u regjistrua në Itali, rreth 148.000.