Noka: PD sjell programin që do të shpëtojë Shqipërinë nga qeverisja e korruptuar
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, mori pjesë në prezantimin e programit elektoral të PD në Pallatin e Kongreseve gjatë Kuvendit Kombëtar të Partisë, ku kritikoi ashpër hapjen e fushatës së Partisë Socialiste, duke e quajtur atë një “gjiriz”, ndërsa e ka akuzuar Edi Ramën, kryeministrin aktual, si “kryemiun” që po drejton një qeveri të korruptuar.
"Këto dy ditë, dje dhe sot, për ne, për demokratët, janë një start madhështor drejt suksesit të shumëpritur. Këto dy ditë, me pjesëmarrjen, entuziazmin madhështor, janë preludi i rikthimit të shpresës, besimit te fitorja dhe rikthimit në pushtet të Sali Berishës dhe PD. Këto ditë tregojnë se një forcë politike si kjo e jona dhe si lideri Sali Berisha kanë ngadhënjyer mbi çdo sfidë dhe janë treguar të pathyeshëm.
Sot, vijmë jo vetëm si forcë e bashkuar, por me një program që sjell zgjidhje për qytetarët. Një program që ka në qedër hallet e shqiptarëve dhe zgjidhjen e tyre. Katër vite më parë askush nuk e mendonte se do vinte një ditë si kjo e sotmja, me një program për të shpëtuar vendin nga qeverisja e inkriminuar, do vinte këtu nga Sali Berisha dhe PD", tha Noka.
