PS çel fushatën me ngjyra folklori/ Luku: Nisi me vonesë, por ndryshe nga çfarë jemi mësuar
Partia Socialiste çeli sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, nën sloganin “Shqipëria 2030 në BE”.
Me një skenë ku në qendër janë 12 yje që simbolizojnë 12 yjet e flamurit të BE-së, eventi elektoral nisi me prezantimin e kandidatëve për deputetë në 12 qarqe, shoqëruar me performancën me këngë e valle tradicionale.
Për të folur për këtë temë, e ftuar në studion e lajmeve të "Ora News", ishte gazetarja Mola Luku.
"Është interesante në fakt sepse ndryshe nga siç e ka dashur tradita gjithmonë, Partia Socialiste ka nisur një ditë më vonë sesa hapjen zyrtare të fushatës sipas Kodit Zgjedhor. Ishte aleanca për "Shqipërinë madhështore" drejtuar nga Partia Demokratike dhe partitë e tjera aleate të cilat e hapën gjatë ditës së djeshme, por ditën e sotme ishte dhe Partia Socialiste e cila në fakt ishte një fushatë komplet ndryshe nga ajo çfarë jemi mësuar.
Ka pasur këngë e kërcime dhe më përpara dhe në fushatën e 2023 ishte po e njëjta situatë por vetëm me një këngë. Kësaj radhe 12 qarqet dhe 12 përfaqësime të ndryshme, këngët e tyre tradicionale, përveçse disa zonave, mund të përmendim Fierin që kishte këngëtarët Free MC, nga ana tjetër Elbasani kishte këngën e cila ka drejtuar fushatën elektorale të 2023 të PS", u shpreh Luku.