Fushata e Bashës fiton mbështetjen e CDU-së gjermane – Falenski në Tiranë për programin e Koalicionit Euroatlantik
Koalicioni Euroatlantik ka marrë mbështetjen zyrtare të CDU-së gjermane, një nga forcat më të rëndësishme politike të qendrës së djathtë në Europë. Në aktivitetin e ditës së sotme, i cili fokusohet te programi elektoral, në krah të Lulzim Bashës do të jetë Hans-Joachim Falenski, këshilltar i Gunther Krichbaum – zëdhënës për çështjet europiane i grupit parlamentar të CDU-së në Bundestag.
Falenski është një njohës i thellë i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor dhe një mik i vjetër i Shqipërisë. Prania e tij në këtë aktivitet nuk është thjesht simbolike: ajo pasqyron interesin dhe angazhimin e CDU-së për të mbështetur forcat politike që përfaqësojnë vlerat europiane të transparencës, drejtësisë dhe integrimit.
CDU ka kontribuar drejtpërdrejt në hartimin e programit të Koalicionit Euroatlantik, të prezantuar më 1 qershor 2024, duke ofruar ekspertizën e saj në ndërtimin e politikave që synojnë standardet europiane.
Nga praktikat më të mira në qeverisjen lokale, te qasjet inovative për zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen për drejtësinë, bashkëpunimi me CDU-në ka ndikuar në përmbajtjen konkrete të këtij programi.

