Fitorja ndaj Udinese, Conceição e merr shtruar: Ishim më solidë, por më e mira nuk ka ardhur ende

Trajneri i Milanit, Sergio Conceição, foli për DAZN pas fitores me “poker” kundër Udinese. Këto ishin fjalët e tij, duke filluar nga ndryshimi i modulit: “Kemi pasur kohë për të punuar. Kishim punuar edhe më parë, por pastaj erdhi pushimi prej kombëtareve dhe nuk kishim mundësi të punonim më gjatë, ndaj vendosa të vazhdoja me mbrojtjen me katër.

Me mbrojtësit tanë anësorë mendova se mund të ishim më solidë kështu. Nuk është një punë që bëhet për një ditë. Ishte e rëndësishme të luanim kompaktë dhe ia dolëm mirë. Në aspektin ofensiv ishin të rëndësishme depërtimet e Reijnders, por edhe lëvizjet e Leão dhe Jovic.

Djemtë e pranuan këtë sistem loje, nesër do të fillojmë të punojmë për Atalantën. Sot dua të flas edhe për publikun, sepse e fishkëllyen si lojtar, por e duartrokitën si njeri Maignan, kur u dëmtua. Komplimente publikut të Udines”.

Më pëlqeu soliditeti i skuadrës, si i gjeti hapësirat, si mbrojti thellësinë dhe gjerësinë. Qendërmbrojtësit tanë e kuptuan mirë atë që kërkoja. Mendoj se baza është faza mbrojtëse. Për mua është thelbësore të mos pësosh gol. Në sulm gjithmonë kemi krijuar raste. Problemi ishte mbrojtja, por sot ishim solidë.

Sot pamë Leãon dhe Theon të buzëqeshnin…

Futbolli është i bukur dhe duhet jetuar me gëzim e pasion. Nëse ata luajnë dhe vrapojnë kështu, është fantastike. Pashë gjëra shumë të mira, aksione dhe përkushtim. Fitorja vjen kështu.

Kur i kishim lojtarët në kombëtare, filluam të punonim me këtë sistem, por nuk mund të bëja menjëherë ndryshime. Tani kishim edhe një javë tjetër për të punuar dhe lojtarët e kanë përqafuar këtë ide.

A jeni i kënaqur me funksionimin e modulit të ri?

Kisha ndjesi të mira. Sot ishim një skuadër, por janë vetëm 3 pikë. Tani mendojmë menjëherë për Atalantën. Pashë gjithashtu një skuadër të balancuar dhe të gatshme fizikisht. Ishte shumë e rëndësishme të kishim 2-3 javë për të punuar.”

A është ky versioni më i mirë i Milanit?

Mendoj se versioni më i mirë ende nuk ka ardhur.

A ndihmohet Theo Hernandez nga ky sistem?

Të gjithë e dimë që në nivel ofensiv, Theo është një nga më të mirët në botë në rolin e tij. Nga ana mbrojtëse doja më shumë agresivitet dhe në këtë sistem ai ndoshta është më i mbrojtur. Tomori e interpretoi shumë mirë rolin, Pavloviç bëri një ndeshje të mirë. Po, në këtë mënyrë loje, Theo ndihet më i sigurt.

Jovic punoi shumë për skuadrën…

Në aspektin ofensiv doja pikërisht këto lëvizje, këtë mbështetje. Të vinte drejt topit e më pas të shkonte në thellësi. Kemi punuar për këtë, duke ditur që ata (Udinese) janë të fortë fizikisht dhe e kanë të vështirë t’i ndjekin këto lëvizje. Jovic punoi mirë në sulm.

A beson ende Milani te Kupat e Europës?

Ne mendojmë si të punojmë nesër, nuk ka nevojë të flasim shumë. Në fund, ajo që ka rëndësi janë rezultatet e përditshme në Milanello, pjesa tjetër vjen vetë në ndeshje.