VIDEO-DENONCIM/ Makaronat “MISKO” të mbushura me insekte dhe papastërti

Në redaksinë e televizionit “Ora News” ka mbërritur një video denoncim  nga një qytetare, e cila shprehet e shqetësuar në lidhje me produktet ushqimore, të cilat  nuk janë të sigurta edhe  brenda afatit të skadencës.

Brenda makaronave “Misko” ka konstatuar insekte dhe mbetje të tjera jo ushqimore.

Qytetarja shprehet: “Dua të ndaj me ju një shqetësim. Bëra pazarin në supermarket dhe kur shkoj në shtëpi shikoj se makaronat Misko ishin të mbushura me pislliqe. Insekte dhe mbeturina brenda makaronave. Nuk dimë me çfarë t’i ushqejmë fëmijët, tmerr. Fatmirësisht e pashë, por nëse nuk do isha  treguar e kujdesshme do i kishim konsumuar. Ju lutem bëjeni publik këtë shqetësim, bëhet fjalë për jetën dhe shëndetin tonë”.

Edhe pse paketimi i makaronave është i mbyllur  me sy të lirë shihet prezenca e insekteve.

Lidhur me këtë shqetësim të adresuar në televizion “Ora News”, i jemi drejtuar me një kërkesë për informacion subjektit  AGNA, duke i bashkëngjitur një foto të produktit me probleme.

Në kthimin e përgjigjes Administratori AGNA-s  Z. Kristo Naçi na bën me dije se shoqëria e tyre është tregtuese e këtyre produkteve, jo prodhuese.

Njëkohësisht, na u kërkua që t’i tregojmë paketimin e makaronave. Për të qenë plotësisht transparent me subjektin,  gazetarja që ndoqi rastin ka shkuar në subjektin “AGNA” ku ka kërkuar një takim me administratorin Z. Kristo Naçi për t’i venë në dispozicion video denoncimin e mbërritur.

Nga përfaqësues të kompanisë na u bë me dije se ky takim do zhvillohej në një moment të dytë dhe për këtë do na njoftonte vetë subjekti.

Shqetësimi i qytetarëve qëndron në faktin se problematika po evidentohen jo vetëm te produktet që i ka kaluar afati i skadencës, por edhe te ato që janë brenda afatit të skadencës.

Më herët televizioni “Ora News” ka  denoncuar skandalin se qytetarët shqiptarë kanë konsumuar mish të infektuar me bakterin e salmonelës.

Vetëm disa ditë pas publikimit të këtij skandali është shkarkuar nga detyra Drejtori i AKU në Tiranë, Fatjon Pasholli.