Zbardhet misteri i vr*sjes së Ilaria Sulës/ Zbulimi tronditës i hetuesve italianë ngre dyshime të reja mbi bashkëpunëtorë të mundshëm
Rasti tronditës i vrasjes së Ilaria Sulës, 23-vjeçares shqiptare që u vra mizorisht në banesën e ish-të dashurit të saj në Romë, po merr një kthesë të re dramatike. Hetuesit italianë kanë zbuluar gjurmë të një ADN-je të dytë mashkullore, që nuk i përket Mark Samsonit, kriminelit të rrëfyer dhe aktualisht në paraburgim.
Sipas mediave italiane, gjurmët e ADN-së janë gjetur në një palë këpucë dhe në valixhen ku ishte vendosur trupi i pajetë i Ilarias, e mbështjellë më parë me një qese plehrash. Këto të dhëna hedhin hije të forta dyshimi mbi versionin e vetmuar të krimit që Samsoni ka mbrojtur deri tani.
“Unë i bëra të gjitha vetë,” ka pohuar ai para hetuesve. Por tashmë, hipoteza e një bashkëpunëtori që ndihmoi në fshehjen e trupit dhe pastrimin e skenës së krimit po fiton gjithnjë e më shumë terren.
Nëna pranon ndihmën, babai nën hetim
Të dhënat e hetimit zbulojnë gjithashtu se nëna e Samsonit ka pranuar se ka ndihmuar djalin për të pastruar dhomën nga gjurmët e gjakut të viktimës. Ajo dhe vetë Samsoni ndodheshin në shtëpi më 26 mars, ndërkohë që dyshohet se vrasja ka ndodhur më 25 mars, mbrëmjen kur Ilaria kishte shkuar për herë të fundit në shtëpinë e ish-të dashurit të saj.
Ajo që e bën më të errët këtë ngjarje është fakti se edhe babai i Samsonit, sipas rindërtimit të hetimeve, ka qenë në shtëpi gjatë mbrëmjes kur dyshohet se ndodhi krimi. Prania e tij përforcon edhe më shumë pistën e një bashkëpunimi familjar për fshehjen e provave apo edhe përfshirje direkte.
Manipulim i provave dhe mesazhe mashtruese
Një tjetër detaj i rëndë në këtë tragjedi është përpjekja e Mark Samsonit për të simuluar praninë e Ilarias në ditët pas vdekjes, përmes dërgimit të mesazheve të rreme nga celulari i saj. Këto veprime kanë qenë pjesë e strategjisë për të mashtruar familjen dhe policinë për disa ditë.
Letër faljeje – Prindërit reagojnë me indinjatë
Ndërkohë që hetimet intensifikohen, një letër faljeje është dërguar së fundmi në adresë të familjes së Ilaria Sulës, por prindërit e saj e kanë refuzuar kategorikisht, duke e cilësuar aktin si të padenjë dhe fyese.
“Ne nuk i pranojmë ata. Nuk mund të ketë falje për një krim kaq të rëndë, për atë çfarë i kanë bërë vajzës sonë,” – janë shprehur ata me dhimbje.
Krimi i rëndë në Romë vazhdon të tronditë opinionin publik në Itali dhe Shqipëri. Zbulimi i një ADN-je të dytë mashkullore mund të çojë në një arrestim të dytë, apo edhe të tretë, nëse prania e babait vërtetohet si e lidhur me krimin.
Ky hetim po ndjek një spirale të errët ku përfshihen manipulim, heshtje familjare dhe bashkëpunim për krimin, që shkon përtej një akti të vetëm impulsiv. Tashmë, drejtësia italiane është në kërkim të së vërtetës së plotë dhe identitetit të personit të dytë të pranishëm në vendin e krimit.
