Masat e Prokurorisë për zgjedhjet e 11 majit, Çela takim me kreun e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, priti sot në takim kreun e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve të OSBE/ODHIR, ambasadorin Lamberto Zannier.

Objekt i takimit ishte njohja e përfaqësuesve të misionit me masat e marra nga Prokuroria e Përgjithshme në lidhje me hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve, si dhe mundësitë e mbështetjes së punës së Misionit nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.

Në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, në të gjitha prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, janë ngritur seksione të posaçme të përkohshme, me në krye drejtuesit e prokurorive, të cilat do të mbështeten edhe nga Policia e Shtetit me oficerë të policisë gjyqësore si dhe nga një forcë operacionale.

Gjithashtu, në bazë të marrëveshjeve të lidhura, puna do të koordinohet me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorinë e Posaçme, në drejtim të komunikimit të shpejtë të raportimeve mbi veprat penale, shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit efikas të hetimeve.