Alarmi nga Pekini/ Kina paralajmëron qytetarët e saj për "rreziqe në SHBA", përkeqësohen marrëdhëniet mes superfuqive

Ministria kineze e Kulturës dhe Turizmit ka lëshuar një paralajmërim të pazakontë për qytetarët e saj që planifikojnë të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara, duke ngritur shqetësime për sigurinë personale të turistëve në vendin që deri pak vite më parë ishte ndër destinacionet më të preferuara për udhëtim dhe studim.

Në njoftimin zyrtar, autoritetet kineze theksojnë se turistët duhet të jenë “jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të vlerësojnë me kujdes rreziqet e mundshme”, duke përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë “përkeqësimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare Kinë-SHBA”, si dhe “situatën e brendshme të sigurisë në Shtetet e Bashkuara”.

Paralajmërimit për turistët i është shtuar edhe një njoftim shqetësues nga Departamenti kinez i Arsimit, i cili ka bërë thirrje për vigjilencë të shtuar ndaj studentëve kinezë që ndodhen aktualisht në SHBA.

Sipas deklaratës, “disa studentë me bazë në Shtetet e Bashkuara kanë hasur në probleme të papritura ligjore dhe pengesa administrative, të cilat Pekini i konsideron si pasojë e një klime jo miqësore ndaj qytetarëve kinezë”.

Ky paralajmërim vjen në një kohë kur marrëdhëniet Kinë-SHBA janë përkeqësuar ndjeshëm, kryesisht për shkak të politikave të reja tarifore të administratës Trump ndaj importeve kineze, si dhe akuzave të ndërsjella për spiunazh ekonomik dhe teknologjik.

Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar masa të reja ndaj kompanive kineze që operojnë në sektorët strategjikë si AI, gjysmëpërçuesit dhe teknologjitë 5G, ndërsa Pekini ka reaguar me masa reciproke që kanë shkaktuar valë pasigurie në tregjet ndërkombëtare.

Analistët ndërkombëtarë e shohin këtë paralajmërim si një veprim të qëllimshëm diplomatik që shërben për të dërguar mesazhe të forta politike drejt Uashingtonit.

Reduktimi i fluksit të turistëve dhe studentëve kinezë në SHBA, në një kohë kur këto kategori përbëjnë një burim të rëndësishëm të të ardhurave për ekonominë amerikane, është një formë e re presioni indirekt.

“Ky nuk është thjesht një paralajmërim për udhëtime. Është një akt politik i maskuar si kujdes për qytetarët”, thotë një profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Pekin për median "South China Morning Post".