Hyjnë në fuqi tarifat gjithëpërfshirëse të Trump për importet nga 60 vende
Tarifat shtesë amerikane për importet të njoftuara nga presidenti Donald Trump javën e kaluar kanë hyrë sot në fuqi, duke përfshirë tarifat 104% për mallrat nga Kina.
Importet nga Gjermania dhe vendet e tjera të BE-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të përballen me tarifa të reja prej 20%.
Me politikën e tij tarifore, Trump kërkon të forcojë prodhimin vendas dhe në të njëjtën kohë të bindë partnerët e huaj tregtarë që të bëjnë lëshime.
Nisma e tij shkaktoi turbulenca masive në tregjet e aksioneve.
Disa vende kanë njoftuar kundërmasa. Një luftë tregtare globale mund ta zhysë ekonominë botërore në një krizë të thellë.
Pas zbatimit të një tarife bazë prej 10% ndaj importeve nga pothuajse të gjithë partnerët tregtarë të shtunën, tani zbatohen edhe tarifa më të larta bazuar në deficitet tregtare.
Shtëpia e Bardhë llogariti tarifat për secilin vend – bazuar në faktorë duke përfshirë deficitin tregtar, subvencionet dhe manipulimin e monedhës.
Gjashtëdhjetë vende të konsideruara si “shkelësit më të këqij” nga Trump u goditën me tarifa më të rënda.
Ekonomistët dhe shumë vende kanë kritikuar ashpër formulën tarifore të Shtëpisë së Bardhë.
Importet nga Bashkimi Evropian në SHBA përballen me tarifa të reja prej 20%.
Tarifat e ashpra të Trump goditën gjithashtu aleatët e tjerë të ngushtë të Uashingtonit, duke përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut dhe Izraelin.
Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë, u godit me tarifa prej 34%, shifra e shpallur fillimisht nga Trump javën e kaluar në Shtëpinë e Bardhë, u rrit në mbi 100%.
Në fillim të këtij viti, Trump kishte vendosur një taksë prej 20% për importet kineze lidhur me rolin e supozuar të vendit në tregtinë e fentanilit.
Presidenti amerikan, Trump njoftoi dje një taksë shtesë prej 50% për importet kineze – pasi Pekini refuzoi të anulonte tarifën hakmarrëse prej 34% për mallrat amerikane. Kjo e çoi tarifën totale për mallrat kineze në 104%.
Dje në mbrëmje, Trump nënshkroi gjithashtu një urdhër ekzekutiv që synon mallrat me vlerë të ulët nga Kina – të përcaktuara si mallra me vlerë më pak 800 dollarë.
Artikuj të tillë janë të përjashtuar nga tarifat. Falë këtij boshllëku, shitësit kinezë në internet si “Temu” dhe “Shein” mund të dërgojnë produkte me vlerë të ulët në SHBA në një shkallë të gjerë – pa paguar një tarifë.
Trump, fillimisht donte të vendoste një tarifë 30% për këto produkte duke filluar nga 2 maji. Por urdhri i fundit ekzekutiv e rrit normën në 90%.
Kina lëshoi një paralajmërim tjetër, duke kërcënuar me kundërmasa në përgjigje të vendosjes së tarifave të reja speciale.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Lin Jian deklaroi se e drejta legjitime e Kinës për zhvillim nuk duhet të cenohej – dhe se Pekini do të vazhdonte të merrte masa efektive për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e tij.
BE do të votojë kundërmasat
Zyrtarët e Bashkimit Evropian do të votojnë sot për grupin e parë të kundërmasave të BE-së, me tarifa që pritet të vendosen për një sërë mallrash amerikane.
Megjithatë, kjo është në përgjigje të tarifave të reja të SHBA-së për importet e çelikut dhe aluminit që u vendosën tashmë rreth një muaj më parë – dhe jo normës 20% të eksporteve të BE-së që goditi bllokun të mërkurën.
Ndryshe nga planet fillestare, nuk pritet të vendosen tarifa shtesë për uiskin amerikan.
Konkretisht, sipas burimeve të BE-së, soja dhe veshjet, si dhe produktet e hekurit, çelikut dhe aluminit, mund të goditen nga taksa doganore prej 25%.
Mallrat e tjera përballen me një taksë prej 10%. Disa tarifa do të hyjnë në fuqi në fillim të javës së ardhshme, ndërsa të tjerat pritet të hyjnë në fuqi nga mesi i majit.
Taksat për bajamet dhe sojën nuk do të hyjnë në fuqi deri më 1 dhjetor.
Një paketë tjetër e madhe masash – për tarifat ndaj makinave dhe pothuajse të gjitha eksportet e tjera të BE-së në SHBA – është ende duke u shqyrtuar.
BE-ja shpreson se këto kundërmasa do të jenë te mjaftueshme për të sjellë palën amerikane në tryezën e bisedimeve.
