Armando Broja u jep premtimin tifozëve të Evertonit: S’e keni parë ende më të mirën time...
Trajneri David Moyes ka bërë një punë të shkëlqyer që nga rikthimi në stolin e Evertonit.
Qëllimi i vetëm i tij ishte të siguronte qëndrimin në Premier League para se klubi të zhvendoset në stadiumin e ri ‘Bramley-Moore Dock’ dhe këtë e arriti me lehtësi.
Tani, me Evertonin tashmë të sigurt, javët e fundit të sezonit ofrojnë mundësi për lojtarët e stolit dhe ata që duan të provojnë veten. Një prej tyre është Armando Broja, i cili ka dërguar një mesazh.
Broja iu bashkua Evertonit verën e kaluar në formë huazimi nga Chelsea me shpresën që të forconte repartin ofensiv, por dëmtimet ia kanë prishur sezonin.
Ai humbi muajt e parë për shkak të një dëmtimi në thembër dhe bëri debutimin në dhjetor kundër Ëolves.
Më pas u lëndua sërish në janar në ndeshjen e FA Cup ndaj Peterborough, duke humbur gjithsej 22 ndeshje këtë sezon.
Aktualisht ai ka luajtur vetëm në 9 ndeshje, me 297 minuta në total, pa gola apo asistime.
Megjithatë, Broja është optimist dhe i vendosur të tregojë veten.
Në një deklaratë për “Everton Official”, ai u shpreh:
“Ndihem shumë më mirë tani. Jam i lumtur që mund të rikthehem në fushë dhe të luaj pa dhimbje.
Kjo ishte gjithçka që doja – të isha pa dhimbje, të shijoja futbollin, të luaja përpara tifozëve dhe të jepja maksimumin për skuadrën.
Jam 100% i sigurt që kam shumë më tepër për të dhënë. Më e mira nga unë ende nuk ka ardhur.
Do të ketë momente ku do të shënoj, do të asistoj dhe do të luaj shumë më mirë, me siguri.”
Rast i artë për Brojën, ndërsa Beto ka rënë në formë
Me Beton që nuk ka shënuar në pesë ndeshjet e fundit, dera i hapet Brojës për të marrë më shumë minuta.
Moyes ka thënë se dëshiron ta përfshijë më shumë sulmuesin shqiptar në ndeshjet e mbetura, dhe tani, me Evertonin të sigurt nga rënia, ai ka mundësinë të tregojë vlerat e tij.
Nëse shfrytëzon si duhet këtë periudhë, Broja mund të ndikojë në vendimin e klubit për ta blerë ose për ta huazuar sërish sezonin tjetër. Gjithçka varet nga ai.
