''Ikonat e Opiumit'', një ekspozitë që zbërthen grafikën antifetare të komunizmit shqiptar
Ekspozita “Ikonat e opiumit” në Tiranë eksploron grafikën antifetare të regjimit komunist shqiptar përmes ilustrimesh të shtypit dhe punimeve arkivore, duke zbuluar mënyrën sesi arti u përdor për të legjitimuar ideologjinë ateiste.
Kuruar nga Lauresha Basha, me kontributet e Doan Danit dhe Elton Hatibit, ajo hedh dritë mbi funksionin propagandistik dhe sakralizues të imazhit në diktaturë.
Në Tiranë është hapur ekspozita "Ikonat e opiumit: Grafika antifetare në komunizëm".
Një rrëfim vizual dhe historik mbi propagandën kundër fesë gjatë regjimit komunist në Shqipëri.
Ekspozita përfshin një përzgjedhje të kujdesshme ilustrimesh të botuara në shtypin e përditshëm dhe periodik gjatë tri dekadave të sundimit komunist, duke ofruar një pasqyrë mbi mënyrën sesi u ndërtua dhe u përdor grafika antifetare për të legjitimuar ideologjinë shtetërore.
Ajo hedh dritë mbi një paradoks të dukshëm: ndërsa feja u përndoq dhe laiciteti u sanksionua me ligj, vetë regjimi përdori një gjuhë vizuale që krijonte simbole dhe figura sakrale për t’i shërbyer kultit të partisë dhe udhëheqësit.
Përmes kësaj qasjeje, "Ikonat e opiumit" nuk ofron vetëm një retrospektivë estetike, por edhe një analizë të funksionit politik të artit grafik në formësimin e ndërgjegjes kolektive dhe ndërtimin e një morali të ri ateist.
Ekspozita fton vizitorët të reflektojnë mbi fuqinë e imazhit në krijimin e besimeve qofshin fetare apo ideologjike dhe mbi mënyrat sesi arti mund të shndërrohet në mjet manipulimi apo rezistence.
Kuruar nga Lauresha Basha, me ese dhe punë arkivore të kontribuara nga studiuesi Doan Dani dhe e koordinuar nga Elton Hatibi, kjo ekspozitë sjell në vëmendje një aspekt shpesh të anashkaluar të trashëgimisë vizuale të diktaturës.
