Trump i vendos tarifë Shqipërisë, Beqiri: Taksa prej 10 % ka thuajse zero impakt. Shkëmbimet janë të ulëta
Mallrat shqiptare që do të eksportohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përballen me një tarifë 10 %, pasi presidenti Donald Trump shpalli planin e masave për importet në SHBA nga e gjithë bota.
Shqipëria është përfshirë në grupin e vendeve prodhimet e të cilave do të preken nga vetëm nga tarifa bazë, e njëjtë me taksën për produktet amerikane që vijnë në vendin tone, sic tregon tabela e prezantuar nga kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Për të kuptuar më shumë mbi efektet që do të ketë kjo tarifë e re në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora Neës”, eksperti i ekonomisë Gent Beqiri u shpreh se kemi të bëjmë me një luftë tregtare.
“Normalisht kjo jo e pritur shumë mirë nga vendet e prekura. Dhe para se të nisi një luftë e tillë është e mira që të kishte një diskutim mes të gjitha palëve. Pasi bëhet fjalë për një situatë të krijuar në dekada.
Në rast mosdakordësie në një bisedë të tillë atëherë edhe mund të vendosen tarifat e menduara nga palët.
Presidenti Trump e ka nisur këtë që në mandatin e tij të parë me Kinën, por nuk ishte menduar që kjo të aplikohej me partnerët e saj që nga BE-ja. Patjetër që kjo do të ketë efekte në marrëdhëniet botërore me SHBA-në.
Sa i përket tarifës për Shqipërinë, në vetvete kjo nuk është një vlerë e jashtëzakonshme, pasi efekti është minimal, pasi ne kemi një eksport deri në 100 milionë dollarë me SHBA-në, ndërsa importojmë rreth 170-175 milionë dollarë nga SHBA-ja.
Por kjo do të ndikojë tek tregtia me vendet partnere në tregti afër vendit tonë, si Italia dhe Greqia, ku tarifa amerikane ka impakt më të fuqishëm në vendet e tyre respektive”, u shpreh ndër të tjera eksperti i Ekonomisë, Gent Beqiri.
SITUATA TREGTARE
Në vitin 2024, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkëmbyen mallra me vlerë 270 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare që tregojnë një rritje të lidhjeve tregtare mes dy vendeve dekadën e fundit.
Dyfishimi i shkëmbimeve në 10 vite është nxitur nga importet, ku SHBA sipas të dhënave sjell 3-fishin e mallit në vlerë monetare në krahasim me Shqipërinë.
Kryesisht nga SHBA vijnë makineri, pjesë të këmbimit, ushqime, minerale dhe lëndëve kimike.
Në periudhën 2021-2024, Shqipëria ka eksportuar në SHBA kryesisht bimë aromatike dhe mjekësore, përfshirë erëzat që përfaqësojnë 67.5 % të totalit, sipas të dhënave.
Të tjerat përfshijnë materiale ndërtimi, metale dhe produkte ushqimore.
Investimet po ashtu janë rritur në mënyrë progresive, nga 293 mln euro në 2014-ën në 1.2 mld euro në vitin 2024 sipas të dhënave zyrtare.
Me tarifa 10 % do të përballen edhe mallrat nga Kosova që po ashtu ka shënuar një rritje të eksporteve të përgjithshme drejt SHBA.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vlera e ekspoorteve drejt SHBA u rrit nga 3 milion euro në vitin 2019 në 131 milion në vitin 2022.
Produktet që eksporton Kosova në SHBA, përfshijnë: ushqime, lëngje, tekstil, dyshekë, por dhe prodhime nga druri dhe plastika.
Pjesë e këtyre masave janë edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat do të përballen me tarifa të ndryshme.
Tabela e prezantuar nga presidenti amerikan tregon tarifa për mallrat nga Mali I I Zi do të jetë 10 %, për Serbinë 37%, për Maqedoninë e Veriut 33%, dhe për Bosnjën dhe Hercegovinën 35%.
NDIQNI ANALIZËN E PLOTË TË EKSPERTIT TË EKONOMISË GENT BEQIRI


