UÇK-ja prej më shumë se 4 vitesh në qeli, Jushi raporton nga Haga: Javën e ardhshme, prokuroria do të ...
Gjykata Ndërkombëtare në Hagë vendosi dy ditë më parë shtyrjen pa një afat të caktuar të gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Seanca e 1 prillit përfundoi më herët nga sa ishte planifikuar, ndërkohë, nuk u dha një datë e re se kur të do të vazhdojë gjykimi.
Ndërkohë për të kuptuar më shumë mbi atë se çfarë po ndodh me të akuzuarit, e ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” ishte gazetarja shqiptare Denada Jushi, në një lidhje direkte.
“Nuk është e lejuar për ne që t’i fotografojmë ata apo të kemi plane filmike të tyre si pjesë të televizionit.
Ditën e djeshme avokati i z. Thaçi ka mbajtur një konferencë me gazetarët, ndërkohë që siç dihet liderët e UÇK-së ndodhen prej 4 vitesh e gjysëm në dhomat e izolimit edhe pse procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur vetëm dy vite më parë.
Dhe ky ka qenë thelbi i gjithë konferencës së avokatit, i cili e cilësoi këtë afat të tejzgjatur dhe jashtë çdo norme njerëzore.
Data 15 prill do të jetë koha kur prokuroria do të sjellë me shkrim të gjitha pretendimet që do të ketë para trupit gjykues, e më pas do të jetë koha e avokatit që do të bëjë mbrojtjen e z. Thaçi e së bashku me kolegët e të akuzuarve të tjerë do të bëjnë dhe çmontimin e këtyre akuzave”, u shpreh ndër të tjera gazetarja Denada Jushi.
MARATONA E NJË GJYKIMI
Kujtojmë se gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka nisur në prill të vitit 2023.
Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.
Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputeti Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarët e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME GAZETAREN SHQIPTARE NË HAGË, DENADA JUSHI


