Trump po i kthen votuesit me ngjyrë dhe hispanikë në republikanë

Presidenti Donald Trump po vazhdon të fitojë mbështetjen e votuesve me ngjyrë dhe hispanikë, shumë prej të cilëve po kalojnë në Partinë Republikane, pjesërisht sepse ai është më i popullarizuar se gjatë mandatit të tij të parë.

Mbështetja për Trump-in sipas Gallup është rritur nga 42% në 45% që nga mandati i tij i parë, por rritja ka qenë shumë më e madhe mes pakicave.

Në një analizë të re, Gallup tha se mbështetja për të nga të rriturit me ngjyrë është rritur nga 13% në vitin 2017 në 22% tani. Ndërsa mes hispanikëve, ajo është rritur ndjeshëm nga 22% në 37%.

Në tërësi, mes të gjithë “njerëzve me ngjyrë”, mbështetja për Trump-in është rritur nga 20% në 32%, sipas Gallup.

Presidenti ka parë gjithashtu një rritje të mbështetjes nga baza e tij, përfshirë burrat dhe konservatorët.

Mbështetja nga burrat është në 54%, nga 48% në muajt e parë të mandatit të tij të parë.

Ndërsa mes grave nuk ka ndryshim në nivelin e mbështetjes.

Edhe konservatorët dhe republikanët e mbështesin më shumë. Rreth 80% e konservatorëve mbështesin punën e presidentit, ndërsa mes republikanëve kjo shifër arrin në 92%.

“Anëtarët kryesorë të bazës politike të presidentit Donald Trump, republikanët, konservatorët dhe burrat, tregojnë një mbështetje më të lartë për performancën e tij në fillim të mandatit të tij të dytë krahasuar me fillimin e mandatit të tij të parë.

Vlerësimet e tij janë përmirësuar gjithashtu mes të rinjve, si dhe votuesve hispanikë dhe me ngjyrë, edhe pse mbështetja mbetet relativisht e ulët në këto grupe tradicionalisht demokrate,” tha Gallup.

Sipas Gallup, rritja e mbështetjes për Trump-in në këto grupe ka tejkaluar rënien e mbështetjes nga demokratët, liberalët dhe të moshuarit.

Dhe ndërsa popullariteti i Trump-it ka ndihmuar në tërheqjen e grupeve që tradicionalisht kanë mbështetur Partinë Demokratike, Gallup tha se performanca e dobët e ish-presidentit Joe Biden gjithashtu ka ndikuar në largimin e tyre.

Në analizën e saj, Gallup theksoi: “Shkalla më e lartë e lidhjes me Partinë Republikane sot, krahasuar me vitin 2017, mund të ketë lidhje me popullaritetin më të madh të Trump-it.

Por ajo mund të jetë gjithashtu rezultat i pakënaqësisë për Partinë Demokratike gjatë presidencës së Joe Biden-it.

Në të ardhmen, është e mundur që fuqia e Partisë Republikane do të varet nga aftësia e Trump-it për të ruajtur mbështetjen e fortë nga grupet tradicionalisht republikane, duke zgjeruar njëkohësisht ndikimin e tij të paktën në një masë të caktuar mes grupeve të prira ndaj demokratëve.”