Groenlanda formon qeverinë e re disa orë përpara vizitës së zëvendëspresidentit të SHBA-së Vance

Groenlanda prezantoi sot një marrëveshje të re të koalicionit qeveritar, vetëm disa orë përpara vizitës së zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance në ishullin Arktik, të cilin presidenti Donald Trump ka shprehur interes për ta blerë, sipas AP.

Qeveria e re e mazhorancës do të drejtohet nga udhëheqësi demokrat, Jens-Frederik Nielsen, i cili u kishte kërkuar partive të linin mënjanë mosmarrëveshjet dhe të formonin një koalicion të gjerë për të treguar unitet mes fushatës së Trump për të aneksuar territorin gjysmë autonom danez.

Ligjvënësit e Groenlandës ranë dakord dje për të formuar një qeveri të re, duke u bashkuar për t’i rezistuar përpjekjeve të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të aneksuar ishullin Arktik.

Katër nga pesë partitë e zgjedhura në parlamentin e Groenlandës në fillim të këtij muaji ranë dakord për formimin e një koalicioni që do të ketë 23 nga 31 vendet në legjislaturë.

Marrëveshja vjen ndërsa Trump ka rritur përpjekjet për të fituar kontrollin e Groenlandës “në një mënyrë ose në tjetrën”. Zëvendëspresidenti i SHBA-së, J.D. Vance pritet të mbërrijë sot në Groenlandë, ku do të vizitojë bazën hapësinore të Amerikës Pituffik, e cila mbështet operacionet e mbikëqyrjes raketore dhe të mbrojtjes raketore.

Pas fitores së papritur të partisë së tij të qendrës së djathtë në zgjedhjet e 11 marsit, Nielsen tha se donte të krijonte koalicionin më të gjerë të mundshëm për të ndihmuar në rezistimin e presionit të SHBA-së.

Marrëveshja përfundimtare përjashton vetëm një parti, Naleraq, e cila u largua nga bisedimet e koalicionit të hënën.

Trump lakmon kontrollin e Groenlandës, një rajon vetëqeverisës i Danimarkës, pasi ka depozita të pasura minerale dhe kalon nëpër rrugë strategjike ajrore dhe detare në një kohë kur SHBA-ja, Rusia dhe Kina po konkurrojnë të gjitha për një pozicion në Arktik.