Zbulohet plani i Ronaldos për të marrë pjesë në Botërorin e Klubeve ku do të jetë edhe Messi
Cristiano Ronaldo nuk dëshiron aspak të humbasë edicionin e parë të Kupës së Botës për Klube, që do të zhvillohet në SHBA në mesin e qershorit.
Për këtë arsye, ai po mendon të largohet përkohësisht nga Al Nassr (kontrata i skadon në qershor) për të marrë pjesë në këtë turne të shumëpritur me njërën nga 32 skuadrat e kualifikuara.
Në fund të fundit, Al Nassr nuk do të jetë pjesë e kompeticionit, pasi i vetmi vend për klubet saudite i është dhënë Al Hilal-it të Milinković-Savić.
Ndërkohë që ende nuk është vendosur se kush do ta zëvendësojë skuadrën meksikane León (në garë janë katër ekipe, mes tyre edhe Los Angeles FC i Giroud), CR7 po kërkon një mënyrë për të qenë pjesë e turneut.
Sipas Sky Sports, hipoteza më e mundshme është një transferim surprizë, por vetëm i përkohshëm.
Plani i tij do të ishte më pas rikthimi tek Al Nassr, me të cilin janë duke u zhvilluar bisedime për të zgjatur kontratën e nënshkruar në janar 2023.
Për momentin, është e vështirë të thuhet se cili klub mund të pranojë një marrëveshje afatshkurtër për yllin 40-vjeçar.
‘Marca’ sugjeron se Real Madridi mund të jetë një opsion, me tifozët që do ta mirëprisnin rikthimin e tij vetëm për këtë turne.
Kjo ide e CR7 vjen pasi ai nuk do të ketë mundësinë të luajë në edicionin e vitit 2029 të Kupës së Botës për Klube, një objektiv shumë i largët duke marrë parasysh moshën e tij.
Gjithashtu, Ronaldo dëshiron të sfidojë përsëri rivalin e tij të përjetshëm, Lionel Messin, i cili do të jetë në turne me Inter Miamin, dhe të tregojë se ende mund të luajë në nivelin më të lartë.
Cristiano Ronaldo vazhdon të shkëlqejë si me Portugalinë (shënoi në Nations League kundër Danimarkës) ashtu edhe me Al Nassr, ku ka realizuar 19 gola në 24 ndeshje.
Megjithatë, sezoni i sauditëve nuk ka qenë i shkëlqyer dhe për këtë arsye trajneri Stefano Pioli mund të largohet së shpejti për t’u rikthyer në Itali, ku Roma dhe Juventusi janë të interesuara për të.