Egnatia dhe Vllaznia e mbyllin në barazim spektakolar ndeshjen në Rrogozhinë

Egnatia dhe Vllaznia kanë ndarë nga një pikë në barazimin 2-2 në Rrogozhinë, në fund të një ndeshje shumë të bukur dhe dramatike ku ndodhi gjithçka.

Egnatia diktoi ritmin në pjesën e parë dhe ia doli të shënonte me anë të Lushkjes, kurse shkodranët dukeshin shumë pak thumbues.

Por me aktivizimin e Grudës në pjesën e dytë, loja e shkodranëve ndryshoi plotësisht.

Ata nisën sulme të njëpasnjëshme drejt portës së Dajsinanit, goditën shtyllën, fituan një penallti që u anulua dhe në minutën e 80 gjetën barazimin me anë të Malës.

Egnatia reagoi, duke u përgjigjur me golin e Fernandos që dukej se po mbyllte ndeshjen.

Por vetëm pak minuta më vonë Deliu fitoi penallti në anën tjetër, me Grudën që transformoi saktësisht, duke vulosur një barazim të çmendur mes dy skuadrave.