Takimi i Ramës me punonjësit e bashkisë në “Skënderbej” Celibashi: Nuk u shkel Kodi Zgjedhor
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, vendosi sot pushimin e ankimimit të Partisë Demokratike në lidhje me aktivitetin e kryeministrit Edi Rama më datë 20 shkurt në sheshin “Skënderbej” me punonjësit e bashkisë së Tiranës.
Sipas Celibashit, aktiviteti ishte i deklaruar dhe nuk përbënte shkelje të Kodit Zgjedhor.
“Ndaj këtij denoncimi vendosëm pushimin e shqyrtimit administrativ, pasi në lidhje me veprimtarinë që është denoncuar nuk provohet se ka shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor. Veprimtaria është raportuar, nuk vlerësohet se ajo çfarë është prezantuar në këtë takim ka të bëjë me veprimtarinë politike apo elektorale në gjykimin tonë”, tha Celibashi.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Marash Logu e cilësoi këtë vendim si të padrejtë dhe në favor të mazhorancës.
“Ne fakt pas një gjashtë vendimeve për të pushuar denoncimet ton që në vlerësimin tonë janë shkelje flagrantë e ligjit zgjedhor duket disi e pakuptime kjo beteja jonë për tu përpjekur që të garantojmë disi standardet zgjedhore dhe të garantojmë zgjedhje të lira atë drejta të barabarta dhe të ndershme. Se tani të thuash se në fjalimin që mbajti Edi Ram anë sheshin “Skënderbej” përpara punonjësve të bashkisë së Tiranës nuk kishte deklarata politike dhe zgjedhore duhet mos ta kesh dëgjuar çfarë ka thënë Edi Rama. Duhet ta sanksionojmë”, tha Logu.
“Sepse mjafton të shikoni se gjithë ai fjalim i referohet zgjedhjeve të 11 majit. Të bësh fushatë duke i detyruar punonjësit e bashkisë Tiranë të dalin në shesh unë mendoj se është një shkelje dhe gati është karshillëk edhe ndaj KQZ-së edhe ndaj organeve të drejtësisë”, u shpreh Logu.
