PL: Shtëpi për çiftet e reja sipas modelit hungarez

Zëvendës presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho në një deklaratë për mediat tha se më 11 maj qytetarët shqiptarë kanë në dorë që t’i japin një tjetër drejtim të ardhmes së vendit, duke votuar Aleancën për Shqipërinë Madhështore.

Xhixho tha se “me programin “5 prioritete për 4 milion shqiptarë”, si pjesë e programit të opozitës, ne do t’u japim të gjitha familjeve të reja mundësinë e të pasurit të një shtëpie dhe fëmijëve të tyre mundësinë për arsim cilësor”.

Xhixho theksoi më tej se “do të ofrojmë shtëpi për çiftet e reja sipas modelit hungarez, duke krijuar një fond banesash për ta përmes blerjes në kosto të banesave të pashitura”.

“Ne do të ofrojmë kredi për blerje shtëpie me interes të subvencionuar dhe zbritje e kredisë me 3,000 euro për fëmijën e parë, 6,000 euro për fëmijën e dytë dhe 10,000 euro për fëmijën e tretë” theksoi Xhixho.

Sipas Xhixhos “shpenzimet për ushqimet bazë do të rimbursohen 5%”.

“Do të dyfishojmë pagat dhe pensionet për t’i çuar në mesataren e rajonit, bazuar në nivelin e rritjes reale ekonomike”, tha Xhixho.

“Ne do të rrisim buxhetin për arsimin. Investimet në arsim dhe kërkim shkencor do të jetë në nivelin 5% të PBB. Aktualisht, buxheti i arsimit është më i ulëti në rajon”, u shpreh zëvendës presidentja e PL-së.

Xhixho theksoi se “më 11 maj të gjithë votojmë numrin 1 në fletën e votimit, Aleancën për Shqipërinë Madhështore, votojmë ndryshimin dhe ndëshkojmë me votë ata që nuk mbajtën premtimet”.