Sa mundësi ka Conor McGregor të bëhet president i Irlandës?

Ish-kampioni i UFC-së, Conor McGregor, mund të ketë fituar mbështetje nga figura si Donald Trump dhe Elon Musk, por ekspertët ligjorë thonë se ai ka pak gjasa të sigurojë një vend në fletën e votimit për zgjedhjet presidenciale të Irlandës, të cilat do të mbahen më së voni më 11 nëntor.

McGregor, i cili është pozicionuar si një figurë e së djathtës ekstreme në Irlandë, bëri bujë javën e kaluar kur deklaroi në Instagram se do të kandidonte për president me një platformë kundër imigracionit.

Megjithatë, sipas ekspertëve të kontaktuar nga Euroverify, ai ka pak ose aspak mundësi për të përmbushur kriteret e nevojshme për të hyrë në garë.

Sipas ligjit irlandez, kandidatët presidencialë duhet të marrin mbështetjen e 20 anëtarëve të parlamentit ose të katër nga 31 autoritetet lokale të vendit.

Ekspertët politikë shprehen skeptikë se McGregor mund të sigurojë këtë përkrahje, duke pasur parasysh figurën e tij të diskutueshme dhe problemet ligjore në të kaluarën.

Për më tepër, premtimet e tij elektorale, përfshirë kundërshtimin e Paktit të BE-së për Migracionin dhe mbajtjen e një referendumi për këtë çështje, janë praktikisht të pamundura për t’u realizuar nga një president, pasi roli është kryesisht ceremonial dhe i kufizuar nga Kushtetuta.

Ndërsa emri i McGregor vazhdon të jetë pjesë e debateve politike, ekspertët thonë se mbështetja e tij mbetet më e fortë jashtë Irlandës sesa brenda saj.