Brazil në krizë të thellë, Vinicius jep alarmin: Duhen ndryshime të menjëhershme
Brazili është në krizë të plotë. Humbja e rëndë 4-1 ndaj Argjentinës në “Monumental” nxori në pah të gjitha dobësitë e 5 herë kampionëve të botës, të cilët duken pa një drejtim të qartë dhe liderë në fushë.
Ndërkohë që “Albiceleste” vazhdon të fitojë edhe pa Messin, skuadra e Dorival Junior duket e rraskapitur.
Pas disfatës, Vinicius Junior dha një mesazh të qartë: “Është e nevojshme kthesa para Kupës së Botës 2026.
Duhet të rishqyrtojmë gjithçka. Ne luajtëm keq, ndërsa Argjentina bëri një paraqitje të shkëlqyer.
Nuk dua të humbas një tjetër Botëror”, tha sulmuesi i Real Madridit, duke nënkuptuar një ndryshim të mundshëm në pankinë.
Dorival Junior tashmë është nën presion.
Sipas mediave braziliane, CBF po shqyrton sërish opsionin Carlo Ancelotti.
Presidenti i Federatës Braziliane të Futbollit (CBF), Ednaldo Rodrigues, më parë kishte tentuar ta bindte trajnerin e Real Madridit, ndërsa tani emri i tij rikthehet në krye të listës së dëshirave.
Megjithatë, vendimi përfundimtar pritet të merret midis qershorit dhe korrikut, duke pasur parasysh angazhimin e Ancelottit në Kupën e Botës për Klube me “Los Blancos”.
