“MINIERA” E BOTËRORIT TË KLUBEVE! Fituesi do të marrë 116 milionë euro, fonde dhe për më të mirët
Fituesi i botërorit në klube do të marrë plot 116 milionë euro. fifa ka publikuar buxhetin që do të jetë në dispozicion për 32 skuadrat si dhe skemën e ndarjes për çdo fitore apo kualifikim
FIFA ka zyrtarizuar shpërndarjen financiare për Botërorin e Klubeve 2025, që do të mbahet për herë të parë në formatin e ri me 32 skuadra, nga 15 qershori deri më 13 korrik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me një fond total prej 1 miliard dollarësh, ky do të jetë turneu me shpërblimin më të madh financiar në historinë e futbollit të klubeve.
Sipas njoftimit fituesi do të marrë deri në 116 milionë euro. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e cilësoi këtë kompeticion si "kulmin e futbollit të klubeve", duke theksuar se formati i shtatë ndeshjeve me fazë grupi dhe playoff garanton jo vetëm spektakël sportiv, por edhe shpërblime financiare të pashembullta.
Përveç çmimeve për ekipet pjesëmarrëse, FIFA ka vendosur të ndajë 250 milionë dollarë në një program investimesh solidariteti për të mbështetur futbollin e klubeve në të gjithë botën.
Nga totali i shpërblimeve, 475 milionë dollarë do të shpërndahen në bazë të rezultateve të ekipeve në kompeticion.
2 milionë dollarë për çdo fitore në fazën e grupeve
1 milion dollarë për çdo barazim në fazën e grupeve
7.5 milionë dollarë për kualifikimin në 1/8 e finales
13.125 milionë dollarë për kualifikimin në çerekfinale
21 milionë dollarë për kualifikimin në gjysmëfinale
30 milionë dollarë për finalistët
40 milionë dollarë për skuadrën kampione
525 milionë dollarët e mbetur do të ndahen në bazë të pjesëmarrjes dhe renditjes së klubeve në kritere sportive dhe komerciale.
Klubet europiane: midis 12.8 dhe 38.2 milionë dollarësh
Klubet e Amerikës së Jugut: 15.2 milionë dollarë
Klubet e Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibeve: 9.5 milionë dollarë
Klubet e Azisë: 9.5 milionë dollarë
Klubet e Afrikës: 9.5 milionë dollarë
Klubet e Oqeanisë: 3.6 milionë dollarë
Ky Botëror Klubesh pritet të shënojë një pikë kthese në futbollin e klubeve, jo vetëm për shkak të formatit inovativ, por edhe për ndikimin ekonomik të tij në futbollin global.


