Pse të rejat po bien pre e abuzimeve? Hida: Në familjet shqiptare duket se ka një shkëputje të raportit prindër-fëmijë
Ditët e fundit janë rikthyer abuzimet dhe përdhunimet e të rriturve ndaj vajzave të mitura, duke rikthyer sërish shqetësimin se sa të sigurta janë të rejat shqiptare.
Psikologia Manolita Hida u shpreh se edhe statistikat botërore janë në shifra shqetësuese.
“Ne si shoqëri po përjetojmë kalimin nga një shoqëri kolektiviste në një shoqëri individualiste. E para e ruan më mirë pjesën e mirëqenies dhe rritjes së fëmijës dhe e bën pjesë të saj, ndërsa shoqëria individualiste e bën më pak të kontrollueshëm dhe më pak presion të ushtruar nga pjesa e shoqërisë ku jetojmë.
Familja është bërthama në bazën e së cilës ne ndërtojmë një shoqëri. Në familjet shqiptare duket se ka një ndërprerje të komunikimit mes prindërve dhe fëmijëve. Pa dashur të gjejmë fajtorin, duhet që kjo të ndryshojë dhe prindërit të jenë më të angazhuar me fëmijët e tyre.
Problemet ekonomike e kanë ndikuar këtë marrëdhënie, pasi duhet të kuptojmë se detyra jonë si prindër nuk është vetëm pjesa e plotësimit të të mirave materiale dhe fëmija duhet të kuptojë se jo çdo dëshirë që lidhet me aspektin financiar është për t’u plotësuar”, u shpreh ndër të tjera psikologia Manolita Hida në studion e lajmeve në “Ora News”.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME PSIKOLOGET MANOLITA HIDA DHE RUDINA KOROMANI

