Hoxhë Rama: Pastërtia e zemrës arrihet përmes diturisë, përmendjes së Allahut dhe përpjekjes
I ftuar në emisionin "Kjo është Koha" në Ora News, hoxha foli mbi rëndësinë e pastërtisë së zemrës dhe sinqeritetit në besim. Ai theksoi se praktika e përditshme është ajo që dëshmon saktësinë e pastërtisë së zemrës dhe se Allahu flet për gjendjen e zemrave në shkrimet e shenjta.
Sipas tij, devotshmëria nuk kufizohet vetëm në adhurim, por përfshin çdo aspekt të jetës. Një njeri që falet dhe kalon kohë në xhami, por lë pas dore detyrimet ndaj familjes, nuk mund të arrijë adhurimin e plotë, pasi ka lënë mangut një aspekt të rëndësishëm të përgjegjësive të tij.
Ai u ndal edhe te koncepti i sinqeritetit, duke shpjeguar se përtej sinqeritetit bazik, ekziston një nivel më i lartë, i cili kërkon përpjekje të vazhdueshme për të përjashtuar egon nga ndërhyrjet. Për të pastruar zemrën, sipas hoxhës, duhet ndjekur një rrugë e qartë, e cila përfshin tre hapa kryesorë: diturinë, përmendjen e Allahut dhe përpjekjen e vazhdueshme.
Në përfundim, ai theksoi rëndësinë e shëndoshjes së zemrës përmes besimit dhe përkushtimit të sinqertë, duke nënvizuar se rruga drejt një zemre të pastër kërkon vetëdije, reflektim dhe përkushtim të vazhdueshëm.
