Patriarku i Moskës, Kirill, dhe Patriarku i Bullgarisë urojnë Kryepeshkopin Joan: Jeni thirrur të kujdeseni për unitetin e Kishës
Patriarku i Moskës dhe Gjithë Rusive, Shenjtëria e Tij Kirilli, ka dërguar një letër urimi për Kryepeshkopin e sapozgjedhur të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Hirësinë e Tij, Joan.
Në mesazhin e tij, Patriarku Kirill e përgëzon për zgjedhjen në krye të kishës, duke e cilësuar një përgjegjësi të madhe për unitetin dhe pastërtinë e besimit.
“Providenca e Zotit, me vullnetin e Sinodit të Shenjtë, ju vendosi në krye të Kishës martire të Shqipërisë, si pasardhës i të ndjerit Kryepeshkop Anastas,” thuhet në mesazhin e tij.
Ai theksoi se në kohët e sotme të vështira, roli i Kryepeshkopit kërkon mençuri dhe guxim të madh.
“Lutem me zjarr që hiri i Shpirtit të Shenjtë t’ju forcojë shpirtërisht dhe fizikisht, për të përhapur dhe lavdëruar fjalën e Zotit” shkruan më tej Patriarku Kirill, duke uruar rritje dhe bekim për Kishën Orthodhokse të Shqipërisë dhe besimtarët e saj.
Patriarku i Moskës dhe Gjithë Rusive, Shenjtëria e Tij, Kirilli i dërgoi një letër urimi Kryepeshkopit të ri.
“Ju përgëzoj sinqerisht për zgjedhjen tuaj si Primat të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë! Providenca e Zotit, me vullnetin e Sinodit të Shenjtë (të Kishës së Shqipërisë), ju vendosi në krye të kishës martire, duke ju bërë pasardhës të të ndjerit të bekuar Kryepeshkopit Anastas.
Nga ky pozicion ju jeni thirrur të kujdeseni për unitetin e kishës, duke mbrojtur me zell pastërtinë e besimit dhe themelet e Kishës, gjë që në kohët e sotme të vështira kërkon mençuri të veçantë dhe guxim të madh.
Unë lutem me zjarr për ju dhe me gjithë zemër uroj që hiri i Shpirtit të Shenjtë të forcojë gjithmonë forcën tuaj shpirtërore dhe fizike, në mënyrë që me mundin tuaj të përhapet dhe të lavdërohet fjala e Zotit. Zoti ynë Jisu Krisht e shtoftë grigjën e devotshme që ju është besuar, duke i dhuruar shpëtim të përjetshëm bijve besnikë të Zotit”.
Urimi i Patriarkut të Bullgarisë
Ditën e djeshme, më 16 mars 2025, në të Dielën e Dytë të Kreshmës së Madhe, Fortlumturia e Tij, Patriarku i Bullgarisë, Danieli, zhvilloi një bisedë telefonike me Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin e sapozgjedhur të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joanin.
Patriarku Daniel e përgëzoi nga zemra Kryepiskopin e ri, duke i uruar që të vazhdojë me përkushtim dhe fryte të begata veprën e lavdërueshme të paraardhësit të tij, Kryepiskopit të ndjerë Anastasit, i cili ringriti Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe u bë një nga misionarët më të shquar të kohës sonë.
Nga ana e tij, Kryepiskopi Joan shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj Patriarkut të Bullgarisë për këtë urim të ngrohtë dhe shprehu dëshirën që marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy Kishave Motra të vijojnë e të forcohen edhe në të ardhmen.


