Shqipëri-Kosovë, finalizohet cikli i teksteve për gjuhën shqipe në diasporë

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ka pritur sot në një takim ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, Arbërie Nagavci, takim në të cilin është miratuar edhe niveli i III i tekstit mësimor për diasporën “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”.

Me këtë hap, finalizohen të gjitha tekstet për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe për fëmijët shqiptarë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Diasporë nga klasa e 1-rë deri në klasën e 9-të.

Ministrja Manastirliu thotë se “ky është një hap i madh për ruajtjen dhe forcimin e gjuhës shqipe për fëmijët tanë në mërgatë, duke i pajisur ata me materiale të standardizuara, të unifikuara dhe të mbështetura nga ekspertiza më e mirë profesionale”.

“Sapo kemi miratuar një vendim të përbashkët, për nivelin e III të tekstit plotësues të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare. Këto tekste janë baza për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare, për fëmijët në diasporë. Pasi kemi përfunduar tekstet plotësuese të nivelit të parë, dytë vjen edhe teksti për nivelin e tretë për klasat e gjashta deri në të nëntën, duke përmbyllur kështu ciklin e arsimit fillor.

Ky është një tjetër hap drejt mësimit të  standardizuar të gjuhës shqipe, përmes këtyre teksteve të cilat janë të unifikuara dhe të standardizuara”, shprehet Manastirliu.

Ministrja Manastirliu ka ndarë njëherësh edhe një tjetër lajm, në lidhje me vendimin për të organizuar olimpiadën e Gjuhës Shqipe mes Shqipërisë dhe Kosovës së shpejti.

“Një tjetër lajm i mirë është se së bashku me ministren Arbërie Nagavci, ekipin e saj dhe ministrinë e Arsimit të Shqipërisë ne kemi marrë një vendim para pak kohësh për të bërë për herë të parë Olimpiadën e Përbashkët të Gjuhës Shqipe, Shqipëri-Kosovë”, tha Manastirliu.

“Gjatë këtyre katër viteve të fundit, bashkëpunimi në fushën e arsimit me ministren Manastirliu ka qenë i jashtëzakonshëm dhe tashmë kemi shumë rezultate në këtë drejtim. Pas finalizimit të abetares së përbashkët, teksteve me të cilat mësojnë vogëlushët tanë në të gjitha trojet shqiptare, në Kosovë, Shqipëri në disa komuna të Maqedonisë së Veriut dhe fëmijët tanë në diasporë, tashmë finalizuam edhe tekstin e tretë “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, tekste më të cilat do të mësojnë fëmijët tanë gjithandej nga klasa e parë deri në të nëntën duke kompletuar të gjithë kurrikulën për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare”, pohoi ministrja e Arsimit në Kosovë, Arbërie Nagavci.