Rritja e arit pritet të vazhdojë, duke tejkaluar 3 mijë dollarë
Prirja në rritje e çmimeve të arit pritet të vazhdojë, për shkak të perceptimit në rritje të rrezikut të lidhur me retorikën proteksioniste të presidentit amerikan Donald Trump.
Ekspertët i thanë Anadolu se roli i arit si një aset i sigurt, po bëhet më i spikatur mes pasigurive tregtare.
Të martën, ari arriti një rekord të ri prej 3,017 dollarë për ons, mbi 14% që nga fillimi i vitit.
Rritja e vlerës së arit është nxitur nga blerjet e bankave qendrore – veçanërisht nga Banka Popullore e Kinës dhe investitorët kinezë që reagojnë ndaj paqëndrueshmërisë në sektorin e pasurive të paluajtshme – si dhe tensionet e vazhdueshme gjeopolitike midis Rusisë dhe Ukrainës, shqetësimet për luftërat tregtare dhe presionet inflacioniste.
Për më tepër, rritja e borxhit global, veçanërisht në SHBA, dhe një ngadalësim i të dhënave të inflacionit që mbështesin një ulje të mundshme të normës nga Rezerva Federale, kanë kontribuar gjithashtu në rritjen e çmimeve të arit.
Kërkesa kineze, fluksi i arit nga Londra në Nju Jork nxit çmimet
Sant Manukyan, menaxher i tregjeve ndërkombëtare të kapitalit në IS Investment me bazë në Turqi, shpjegoi se rritja e çmimeve të arit po nxitet nga një "divergjencë gjeopolitike" midis Kinës dhe SHBA-së, duke theksuar se "kjo divergjencë vetëm do të intensifikohet".
“Në të njëjtën kohë, kjo divergjencë krijon paqartësi,” vuri në dukje ai. “Ndërkohë, në një bazë mikro, fluksi i arit nga Londra në Nju Jork nga frika e tarifave, është ndër arsyet për këtë rritje të çmimit të onsit të arit”.
“Unë shoh trajektoren e arit drejt 3,030 deri në 3,040 dollarë tani për tani, por objektivi përfundimtar duket të jetë 3,200 dollarë për ons,” tha ai.
Manukyan tha gjithashtu se ulja e mundshme e normave të Fed dhe zgjidhja e tarifave të Trump, do të jenë faktorët kryesorë që ndikojnë në çmimet e arit.
“Është e rëndësishme që ne të mos shohim një krizë likuiditeti në treg – nuk ka një gjë të tillë për momentin,” shtoi ai. “Kina dhe Gjermania po prezantojnë paketa stimuluese, por aktualisht, duket se nuk ka ndonjë zhvillim që do të ndryshojë lëvizjen e arit (lart).
