Kuvendi miraton ngritjen e Bankës së Zhvillimit, mbështet sektorët strategjikë

Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot në seancën plenare të së hënës me 70 vota pro, 1 abstenim dhe 16 vota kundër projektligjin “Për Bankën Shqiptare të Zhvillimit” që mbështet financimin e sektorëve strategjikë të ekonomisë së vendit.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj u shpreh se financimet e Bankës Shqiptare të Zhvillimit do të shkojnë edhe në drejtim të infrastrukturës, eksporteve, apo projekteve strategjike për ekonominë.

“Qëllimi kryesor i kësaj banke është të nxisë zhvillimin ekonomik të vendit përmes lehtësimit të qasjes në financë të sektorëve të nënfinancuar duke mbështetur zhvillimin e infrastrukturës, eksportet dhe projektet strategjike për ekonominë. Struktura kapitale është projektuar për të siguruar qëndrueshmëri afatgjatë.

Shteti do të zotërojë minimalisht 51% të aksioneve duke ruajtur kontrollin publik, ndërsa institucionet financiare ndërkombëtare dhe vendase mund të kontribuojnë në kapital. Banka do të sigurojë financime përmes bashkëpunimeve si me Bankën Evropiane të Zhvillimit apo vende  anëtare”, tha ajo.

Në seancën e sotme plenare, Kuvendi miratoi me 71 vota pro 17 vota kundër projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.75/2019, “Për Rininë”.

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi u shpreh se ky projektligj vjen si një premtim i mbajtur ndaj të rinjve.

“Projektligji rregullon njohjen dhe përcaktimin e kompetencave dhe formimit profesional që duhet të kenë punonjësit rinorë”, tha ajo.

“Projektligji i hap rrugë dhe mbështetjes nga AKR-ja për pjesëmarrjen e punonjësve të sektorit që do duan të certifikohen si punonjës rinorë në programet profesionale që do të krijohen sipas ligjit.

Projektligji është harmonizuar plotësisht me rekomandimet dhe standardet e BE-së në fushën e rinisë”, u shpreh Muzhaqi.

Ajo theksoi se programi synon të ndihmojë të rinjtë të integrohen më lehtë në tregun e punës, pavarësisht nëse ata zgjedhin të vazhdojnë karrierën në sektorin publik apo privat.

Pas miratimit të dy projektligjeve, në seancë plenare u miratuan edhe 20 projektvendime.