Sistemi pagesave në euro, Sejko: Qytetarët kursyen 100 milionë euro
Sistemi i pagesave në euro (AIPS Euro) ka gjeneruar për qytetarët rreth 100 milionë euro kursime, ndërkohë që promovimi i pagesave elektronike redukton përdorimin e cash-it dhe rrit formalizimin e ekonomisë.
Kështu u shpreh sot Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në takimin “Java Globale e Parasë 2025”, organizuar në Tiranë, ndërsa tha se, “Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol thelbësor në zhvillimin e sistemeve të pagesave, nga krijimi i Sistemit Shqiptar të Pagesave Ndërbankare (AIPS) dhe krijimin e një bërthame për zhvillimin e tregjeve të parasë dhe atyre të kapitalit”.
“Në ditët e sotme, ai proceson një total pagesash rreth 5 herë më të lartë se Prodhimi i Brendshëm Bruto, dëshmi e qartë e rëndësisë së tij për tregjet financiare dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, tha Sejko.
Guvernatori bëri të ditur se, “krahas rolit klasik të bankave qendrore për operimin e sistemeve të pagesave me vlerë të madhe, Banka e Shqipërisë ka krijuar edhe Sistemin e Pagesave me Vlerë të Vogël (AECH) dhe, së fundmi, edhe atë AIPS EURO.
Sipas tij, falë politikave të Bankës së Shqipërisë për rregullimin e komisioneve, ky evolucion ka gjeneruar kursime të konsiderueshme.
“Vetëm nga zerimi i komisioneve për pagesat deri në 20,000 lekë, u janë kursyer konsumatorëve dhe bizneseve përafërsisht 700 milionë lekë, që prej vitit 2020”, u shpreh Sejko.
Guvernatori bëri të ditur se, së fundi, ka nisur projekti për krijimin e pagesave të shpejta në bashkëpunim me Bankën e Italisë dhe bankat qendrore të Ballkanit Perëndimor.
“Ne do prezantojmë një mënyrë të thjeshtë të kryerjes së pagesave nga celulari. Përtej inovacionit që do të promovojë ky sistem, ai pritet të ketë një impakt të konsiderueshëm si në kursimet e gjeneruara ashtu edhe në përfshirjen dhe familjarizimin e publikut me shërbimet inovative financiare”, tha ai.
Gjatë fjalës së tij, Sejko u ndal edhe në edukimin financiar të qytetarëve.
“Historia na tregon raste të shumta kur mungesa e informacionit të saktë dhe mashtrimet financiare kanë shkaktuar humbje të konsiderueshme për qytetarët. Po ashtu, në një kohë kur informacioni qarkullon me shpejtësi dhe ndikimi i mediave sociale është i madh, është e lehtë të biesh pre e këshillave të paverifikuara financiare. Investimet dhe vendimet financiare duhen bazuar në analiza të mirëfillta dhe burime të besueshme, për të shmangur humbjet dhe pasojat e rënda ekonomike”, tha ai.
Java Globale e Parasë, organizohet në mbarë botën nga OECD-INFE, dhe ka si objektiv të ndihmojë fëmijët dhe të rinjtë të zhvillojnë një mendësi të shëndoshë financiare. Tema e këtij viti, “Think before you follow, wise money tomorrow”, është një thirrje për reflektim dhe qasje kritike ndaj burimeve të informacionit financiar, duke pasur parasysh ndikimin e madh të rrjeteve sociale dhe të teknologjisë në vendimmarrjen financiare të të rinjve.
Në kuadër të kësaj jave slogani kombëtar është “Ndiq me mençuri, begati në ardhmëri! – 100 vjet bankë qendrore në Shqipëri!”, një shprehje e domosdoshmërisë e marrjes së vendimeve financiare të zgjuara për një të ardhme të qëndrueshme.


