Standardet mjedisore, Mazreku: Shqipëria ende larg monitorimit dhe përmirësimit të cilësisë së ajrit

Në emisionin Alert, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, Drejtorja e Milieukontakt Shqipëri, Valbona Mazreku, u shpreh se Shqipëria po përpiqet të arrijë disa standarde për një cilësi më të mirë të jetesës, por është ende shumë prapa në këtë drejtim.

Mazreku theksoi se një nga problematikat kryesore mbetet cilësia e ajrit, për të cilën nuk ka të dhëna të plota dhe të vazhdueshme. Ajo sqaroi se laboratoret dhe stacionet e monitorimit të ajrit janë të pakta, duke funksionuar vetëm në një ose dy qytete dhe duke matur vetëm disa tregues, çka nuk mundëson një pasqyrë të qartë dhe masa efektive.

“Nëse nuk kemi të dhëna të plota, nuk mund të hartojmë politika të qëndrueshme për mjedisin,” tha Mazreku, duke shtuar se situata është e ngjashme edhe për vlerësimin e ndikimit në mjedis apo investimet strategjike, ku aspekti mjedisor shpesh mbetet në plan të fundit.

Ajo theksoi nevojën për më shumë investime në monitorimin dhe përmirësimin e standardeve mjedisore, duke nënvizuar se Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë përpara në këtë drejtim.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT” NË “ORA NEWS”