AKTI I TRETË/ Kush do bjerë? Dy ditë debat në Apel, merret sot vendimi për Erion Veliajn

Gjykata e Apelit ka shtyrë për sot dhënien e vendimit për Erion Veliajn dhe biznesmenët Elman Abule, Shkëlqim Fusha, Gentian Sula dhe Meriman Palushi, të cilët kërkojnë ndryshimin e masës së sigurisë.

Vendimi do të jepet në orën 10:00. Shtyrja e seancës është bërë për shkak se trupa gjykuese ka kërkuar kohë që të njihet me provat e reja, të paraqitura në seancë nga prokurorët e çështjes, Ols Dado dhe Altin Dumani, si dhe kundër-argumentet e palës mbrojtëse si dhe të vetë Erion Veliajt.

ÇFARË NDODHI DJE?

Apeli i GJKKO-së nuk mori as në seancën e ditës së dytë vendimin për masën e arrestit ndaj Erion Veliajt, duke e shtyrë vendimin për paraditen e sotme.

Nga qelia e Durrësit, kryebashkiaku i Tiranës u nis nën shoqërimin e policisë, duke mbërritur në gjykatë rreth orës 12:00.

Për rreth 3 orë e 30 minuta, debatoi me prokurorët e SPAK-ut që kishin paraqitur prova të reja ku ndër të tjera theksonin presionin ndaj hetuesve por dhe intimidimin përmes medieve, të cilat siç thuhet nga akuzat dyshohet se ishin orientuar, e për këtë burimet thanë se u paraqitën edhe përgjime

Nuk mungoi as kërkesa e Veliajt për të zhvilluar seancë të hapur.

Përballja e palëve u mbyll pa vendim këtë të mërkurë, ndërsa gjyqtari Engert Pëllumbi lajmëroi palët për një seancë të tretë.

Ndryshe nga e marta kur në largim Veliaj u arrit të filmohej nga kamerat ku u fut në furgonin e policisë për t’u nisur drejt qelisë, këtë radhë masat u morën për të mos lejuar daljen e imazheve.

Ndaj Veliajt hetimet po vijojnë për korrupsion dhe pastrim të parave, ndërsa dhe një biznesmen është në arrest me burg e katër të tjerë në detyrim paraqitje, ashtu si dhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa.

ÇFARË NDODHI TË MARTËN NË APELIN E GJKKO?

Gjatë seancës së të martës, Erion Veliaj dhe biznesmeni Elman Abule, të cilët ndodhen nën masën e sigurisë “Arrest me burg”, kanë ofruar para dhe bllokim të pasaportave në këmbim të lirisë.

Dy avokatët e Erion Veliaj, Ermir Beta dhe Artur Selmani, kanë bërë parashtrimet dhe kanë deklaruar se masa e sigurisë “arrest në burg” për Veliajn duhet të shfuqizohet, dhe se kryebashkiakut të Tiranës t’i jepet mundësia të dalë nga paraburgimi për të ushtruar detyrën.

Sipas tyre, Veliaj nuk ka asnjë rrezik të prishë provat apo t’i dëmtojë ato si dhe as të intimidojë dëshmitarët.

Nga ana tjetër, përgjime telefonike dhe ambientale janë çuar nga SPAK në tavolinën e gjyqtarit të Apelit të Posaçëm, Engert Pëllumbi, i cili është njohur me përmbajtjen e bisedave që ka zhvilluar në burg Erjon Veliaj më vëllain e tij, Arbër Veliaj.

Njëherësh SPAK, mësohet të ketë vënë në përgjim telefonik Arbër Veliaj, i cili rezulton se pasi ka marrë urdhëresa nga vëllai i tij në burg, ka orientuar disa media për të nisur një fushatë sulmi ndaj prokurorëve të SPAK.

Një veprim të tillë të nxjerrë nga përgjimi ambiental brenda në burg dhe përgjimet telefonike të kryera mbi Arbër Veliaj, kanë çuar prokurorët e çështjes në gjykatën e Apelit, me një argument shtesë, se përse Erion Veliaj duhet të qëndrojë në burg.

Sipas prokurorisë Veliaj ka nisur një fushatë mediatike kundër prokurorëve dhe anëtarëve të tjerë të grupit hetimor, veprim ky që sipas tyre nuk duhet të ndodhë dhe se është i paligjshëm pasi ka si qëllim indimidimin e njerëzve të Drejtësisë.

Në pretendimet e tyre para gjykatës së Apelit të Posaçëm prokurorët mësohet të jenë shprehur se personi nën hetim Erjon Veliaj dhe familjarë të tij, kanë kryer veprime dhe përpjekje për të prishur prova, ndaj i kanë qëndruar kërkesës së tyre për të mbajtur në masën e “arrestit në burg”.

Të ndodhur në kushtet e hyrjes së provave të reja në procesin gjyqësor, avokatët e Erjon Veliaj, kërkuan kohë të njihen me to dhe të japin shpjegime prapësuese për sa i përket vijimit të mbrojtjes

Sa i përket biznesmenëve që janë me masën detyrim paraqitje, i pranishëm në seancë ka qenë vetëm Shkëlqim Fusha, ndërsa Gentian Sula dhe Meriman Palushi kishin dërguar avokatët. Mbrojtësit kërkuan heqjen e masave “detyrim paraqitjeje” ndaj biznesmenëve në fjalë.

Seanca nisi në orën 10:00 dhe zgjati për rreth 7 orë, e drejtuar nga gjyqtari Engert Pëllumbi.

Kujtojmë se në seancën e së martës, shkoi për të marrë pjesë si vëzhgues edhe avokati amerikan Joshua Roberts, përfaqësues i studios ligjore amerikane “Kasowitz Benson Torres LLP”, e cila po këshillon kryebashkiakun Erion Veliaj, por nuk u lejua të futet.

HETIMI PËR DOSJEN “VELIAJ”

Pas një hetimi 1 vjeçar të SPAK, mbi Erion Veliajn janë ngritur akuzat për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminal”.

Nën hetim është dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, ndaj së cilës, GJKKO ka caktuar masat e sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Fillimisht ndaj saj, ishte caktuar masa “Arrest në shtëpi”. Po ashtu, me msaë sigurie “detyrim paraqitje” janë dhe biznesmenët Fatmir Bektashi dhe Sokol Kryeziu.

Biznesmeni shqiptaro-belg Elman Abule është i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim. Ndërkohë, 5 biznesmenët e tjerë Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu akuzohen për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.

Nga hetimi i SPAK ka rezultuar se Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa kanë krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash dhe kompanish të kontrolluara prej tyre apo të afërmve të tyre dhe kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në nëntë raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar tre vila në një fshat turistik në Qerret ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 800 mijë euro në blerje online, të cilat nuk i ka deklaruar në deklaratat vjetore.

Biznesmenët Elman Abule, Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu në këmbim të tenderave nga Bashkia e Tiranës dhe lejeve të ndërtimit, i ofronin Erion Veliajt, shuma monetare nëpërmjet blerjeve fiktive, biletave avioni, sponsorizimeve, OJF-ve të Ajola Xoxës, si dhe pasurive të paluajtshme, si disa vila në Qerret.

Erion Veliaj pretendon se burgosja e tij është e paligjshme, teksa që prej 10 Shkurtit, ka sulmuar vazhdimisht magjistratët e çështjes së tij, prokurorin Ols Dado dhe gjyqtarin Erion Bani. Po ashtu, edhe Edi Rama ka sulmuar drejtësinë, duke mbajtur një qëndrim ndryshe nga ai që ka mbajtur me socialistët e tjerë që kanë patur probleme me drejtësinë.