Fati tragjik i 7-vjeçares në Potam, Apeli lë në fuqi vendimin me 18 vite burg për ish-policin Arjan Tase
Gjykata e Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë të Vlorës që dënoi me 18 vite burg ish-policin Arjan Tase, i cili në gushtin e 3 viteve më parë përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçaren Jonada Avdia.
Tase u shpall fajtor edhe në Apel për ‘vrasje me dashje’ , ndërsa dënimi i tij prej 18 vitesh zbret në 12 për shkak të gjykimit të shkurtuar. Në gushtin e 2022 Familja Avdia nga Tropoja që jetonin në Angli, ndodheshin me pushime në Potam të Himarës.
Më 02 gusht 2022, Arjan Tase duke drejtuar skafin e tij përplasi për vdekje të miturën. Ai ishte nisur për të dalë nga zonë (brenda kordonit të sigurisë) ku la disa persona të tjerë, teksa u drejtua vendit ku notonte babai me vajzën e tij Jonada. Mjeti me shpejtësi të lartë përplasi të miturën duke i shkaktuar vdekjen.


