“Ekipet Sportive në Shkolla”, Manastirliu: Mbi 12 mijë nxënës nisin përballjet në volejboll dhe basketboll
Mbi 12 mijë nxënës të shkollave në vend kanë nisur përballjet në rang qarku në kuadër të programit “Ekipet Sportive në Shkolla”, një nismë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH).
Ky është edicioni i tretë i programit që zhvillohet në disiplinat e volejbollit dhe basketbollit. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau në rrjetet sociale momente nga ndeshjet e zhvilluara në rang qarku.
Manastirliu i uroi suksese nxënësve pjesëmarrës në edicionin e 3-të të “Ekipeve Sportive në Shkolla”, që sapo kanë nisur përballjet në rang qarku, në disiplinat volejboll dhe basketboll.
“Ky program i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Komitetit Olimpik Shqiptar, po rritet nga viti në vit, duke përfshirë në Lëvizjen Sportive gjithnjë e më shumë fëmijë që merren me aktivitet fizik”, tha Manastirliu.
Mbështetja nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, KOKSH, trajnerët, koordinatorët, arbitrat dhe vullnetarët vazhdon për të siguruar mbarëvajtjen e këtij edicioni dhe përfshirjen e sa më shumë të rinjve.
Në kuadër të këtij programi u shpërndanë uniformat për ekipet e reja në shkolla që bëhen pjesë e këtij kampionati.
