S’KA PAQE NË BEOGRAD! Behluli: Protestat nuk ndalen. Vuçiç s’ka vullnet për kërkesat e studentëve
Kuvendi i Serbisë është përfshirë tashmë në mes të tensioneve dhe kaosit që pushtoi sallën parlamentare dy ditë më parë, teksa kjo e fundit u mbush nga tymi dhe gazi lotsjellës në përplasjen e ashpër mes opozitës dhe mazhorancës së presidentit Aleksandar Vuçiç.
Gazetarja Ardita Behluli në një lidhje direkte nga Lugina e Preshevës solli në studion e lajmeve në “Ora News” në hapësirën dedikuar shqiptarëve situatën më të fundit politike në Beograd.
Behluli theksoi se reagimet për një situatë të tillë kanë ardhur nga të gjitha anët e shoqërisë, si nga opozita, mazhoranca dhe vetë Presidenti Vuçiç e madje tek shoqëria civile.
“Kjo e fundit madje akuzon opozitën se aksioni i saj ka dëmtuar lëvizjen studentore që ka nisur prej më shumë se tre muajsh.
Bashkimi Evropian ka sugjeruar që të ketë një bashkërendim të lëvizjes studentore dhe të opozitës.
Vlen të theksojmë se nga dita në ditë situata po ndryshon, ku dhe gjatë ditës së sotme janë shënuar sërish incidente si në sallën e Kuvendit ashtu dhe jashtë saj.
Ka pasur një përleshje mes qytetarëve, protestuesve dhe policisë, ku ka pasur të lënduar. Protestuesit nuk i kanë lejuar auto-ambulancat që të lëviznin në zonën ku ata protestonin. Nuk janë lejuar as automjetet e policisë që po transportonin të burgosur. Nga ana e Presidentit Vuçiç nuk ka një gadishmëri për të plotësuar kërkesat e studentëve.
Po ashtu kemi një opozitë që herë shfaqet e bashkuar e herë e ndarë, ndërsa kemi një lëvizje studentore të cilës i janë bashkuar dhe qytetarët e Serbisë. Se cila prej këtyre fraksioneve do të fitojë mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim”, u shpreh ndër të tjera gazetarja Ardita Behluli.
NDIQNI RAPORTIMIN E PLOTË TË GAZETARES SHQIPTARE NGA LUGINA E PRESHEVËS PËR SITUATËN NË BEOGRAD


