Ngrihet Njësia e Kërkimeve Gjeografike pranë Akademisë së Shkencave
Konstituohet Njësia e Kërkimeve Gjeografike pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
“Ngritja e një njësie si dikur do t’i japë zhvillim shkencës në studimin e gjeografisë së Shqipërisë dhe do të zgjerojë bashkëpunimet që kanë qenë deri në 2007-n midis Qendrës së Studimeve Gjeografike, departamenteve dhe gjeografëve të Kosovës”, u shpreh gjatë veprimtarisë gjeografi i njohur prof. dr. Vasil Kristo.
Prof. dr. Perikli Qiriazi argumentoi më tej domosdoshmërinë e krijimit të njësisë së kërkimeve gjeografike.
Prof. dr. Qiriazi tha se mbyllja e Qendrës së Studimeve Gjeografike në vitin 2007 rezultoi veprim tepër i gabuar. Si rrjedhojë, departamentet e gjeografisë në universitetet e vendit nuk mundën të drejtojnë dhe të realizojnë studime të thelluara dhe përgjithësuese gjeografike në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare. Ky problem është bërë më i mprehtë kohët fundit, kur po zvogëlohet vazhdimisht numri i studentëve të degëve të gjeografisë.
Ai përcaktoi një sërë detyrash të Njësisë së studimeve gjeografike, duke filluar me njohjen dhe promovimin e drejtimeve të metodologjisë dhe metodave të reja të studimeve të sotme gjeografike në botë, sigurimin e mbështetjes dhe oponencës shkencore për hartimin e artikujve të shumtë gjeografikë të Enciklopedisë shqiptare etj.
Disa nga studimet gjeografike me vlera albanologjike, në të cilat do të fokusohet aktiviteti shkencor i Njësisë janë përditësimi me informacion dhe trajtim të ri të monografisë “Gjeografia fizike”, e para vepër kapitale kolektive e përgatitur dhe botuar rreth 40 vjet më parë nga Qendra e Studimeve Gjeografike.
Në vijim të veprimtarisë u prezantua projektrregullorja e brendshme për funksionimin e Njësisë, platforma e veprimtarisë shkencore dhe programi i punës për vitin 2025-2026 i përgatitur nga bordi drejtues i kësaj njësie.
Njësia kërkimore gjeografike, sipas vendimit të Kryesisë së ASHSH-së, ka një mandat dyvjeçar më të drejtë zgjatjen e këtij mandati edhe dy vite të tjera ose kthimin e saj në institut të kërkimeve gjeografike, në rast se e justifikon këtë me sukseset dhe me studimet e veta shkencore dhe hap perspektivë për të ardhmen.

