9 pritje vendimtare, Alisson mahniti në fitoren e vuajtur ndaj PSG: Performanca më e mirë e jetës sime

Portieri i Liverpool-it, Alisson Becker, e ka quajtur paraqitjen e tij të mbrëmshme ndaj PSG si "performancën e jetës", pasi skuadra e tij triumfoi 1-0 në "Parc des Princes". 

Çfarë ndodhi? Liverpool-i arriti një fitore të jashtëzakonshme në ndeshjen e parë 1/8 finale të Champions League, falë një goli të Harvey Elliott.

Megjithatë, heroi i vërtetë ishte Alisson, i cili bëri 9 pritje vendimtare, duke e mbajtur portën e tij të paprekur përballë sulmit të fuqishëm të PSG-së. Ky ishte numri më i lartë i pritjeve që braziliani ka bërë ndonjëherë me fanellën e "Reds". Me këtë rezultat, Liverpool-i do të ketë avantazhin minimal për ndeshjen e kthimit në "Anfield".

Statistikat e ndeshjes tregojnë qartë dominimin e PSG-së, e cila regjistroi 27 gjuajtje në portë, ndërsa Liverpool-i pati vetëm dy të tilla. Pavarësisht kësaj, Alisson e mbajti skuadrën e tij në lojë me një performancë spektakolare, duke pranuar se skuadra "vuajti" gjatë gjithë 90 minutave.

Në një intervistë për “TNT Sports”, braziliani u shpreh: "Ka qenë ndoshta performanca më e mirë e jetës sime. Trajneri na kishte paralajmëruar se sa e vështirë do të ishte të luanim kundër PSG-së, sa të aftë janë ata me topin dhe se do të na duhej të ishim të gatshëm për të vuajtur.

E dinim çfarë na priste dhe u përgatitëm mirë. E duruam shumë presion, shpeshherë në situata një kundër një, por gjëja më e rëndësishme është ta bësh kundërshtarin të mendojë shumë përpara se të gjuajë.

E gjithë puna e madhe e skuadrës e bën më të lehtë detyrën time. Në fund, Harvey (Elliott) shënoi golin vendimtar, një histori fantastike për ne. Përfundimisht ishte një natë plot vuajtje, por e madhe".