Gjykata e Lartë në SHBA kërkon nga administrata Trump zhbllokimin e afro 2 miliardë dollarëve për ndihmën e huaj

Gjykata e Lartë në SHBA ka hedhur poshtë kundërshtimin e Trump për tu pajtuar me vendimin e një gjykate federale që vendosi një afat të shpejtë për lirimin e miliarda dollarëve për ndihmën e huaj.

Me një votim 5 vota pro dhe 4 kundër, kjo gjykatë vendosi në favor të zhbllokimit të pagesave të afro 2 miliardë dollarëve për organizatat jofitimprurëse për punët që kanë kryer deri tani.

Megjithëse rezultati është një humbje afatshkurtër për administratën e Presidentit Donald Trump, grupet jofitimprurëse dhe bizneset që paditën janë ende duke pritur për paratë që thonë se u detyrohen. Një nga organizatat javën e kaluar u detyrua të pushonte nga puna 110 punonjës si rezultat, sipas dokumenteve të gjykatës.

Është hera e dytë që administrata e re ka kërkuar dhe ka dështuar të bindë Gjykatën e Lartë që të frenojë menjëherë një gjykatës të një gjykate më të ulët në luftimet ligjore mbi veprimet e ndërmarra nga Trump.

Administrata Trump ka argumentuar se situata ka ndryshuar për shkak se ka zëvendësuar një ngrirje totale të shpenzimeve me përcaktime të individualizuara që çuan në anulimin e 5,800 kontratave të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar dhe 4,100 granteve të tjera të Departamentit të Shtetit që arrijnë në rreth 60 miliardë dollarë ndihmë.

Qeveria federale ngriu ndihmën e huaj pas një urdhri ekzekutiv nga Trump që synonte ato që ai i quajti programe të kota që nuk korrespondojnë me qëllimet e tij të politikës së jashtme të vendit.