Marcelo-Ronaldo, zbulohet prapaskena e bujshme. Miqësia e ngushtë nisi me sherrin në kombëtare
Marcelo, legjenda braziliane dhe ish-mbrojtësi i majtë i Real Madridit, ka folur për Lionel Messi gjatë një interviste në programin “La Revuelta”. I pyetur për të zgjedhur lojtarin më të mirë në histori, ai pranoi se është një zgjedhje e vështirë: "Çfarë mund të thuhet për ata që kanë luajtur më parë? Maradona, Pelé, Di Stéfano, Cruyff…"
Ishte e pashmangshme një referencë për Cristiano Ronaldon. Marcelo tregoi për natyrën kompetitive të portugezit: "Cristiano mendon se është më i miri. Kishte një periudhë ku ishte bezdisëse, sepse nëse njëri shënonte dy gola, tjetri duhej të shënonte tre… Sidoqoftë, ne e pamë nga afër Cristianon dhe e shijuam shumë. Mjaft njerëz duan të bëjnë krahasime, por harrojnë të shijojnë gjithçka që ata na kanë dhuruar".
Pavarësisht rivalitetit të madh mes Real Madridit dhe Barcelonës, Marcelo pranoi se kishte marrëdhënie të mira me disa ish-lojtarë të katalanasve: "Shkoj shumë mirë me disa ish-lojtarë të Barçës. Kam marrëdhënie të mira me Piqué, flasim shpesh. Ai është shumë autentik dhe i sinqertë, më pëlqejnë njerëzit e tillë. Kam shumë respekt për Puyol, Iniesta, Xavi… Epoka e Guardiolës ishte e vështirë për ne te Reali. Duhej të përpiqeshim ta zotëronim topin, por ishte shumë e vështirë".
Pasi i “vari këpucët në gozhdë” më 6 shkurt, Marcelo ndjeu nevojën për t’ia dhënë lamtumirën futbollit në tempullin që e shenjtëroi si një nga mbrojtësit e majtë më të mirë në histori. E bëri këtë në “Santiago Bernabéu”, aty ku fitoi 25 trofe dhe luajti pothuajse 16 sezone me fanellën e Real Madridit. Ishte një akt mirënjohjeje për gjithçka që ai bëri për "Los Blancos". "Marcelo, Marcelo, Marcelo", – bërtiti me gjithë shpirt çdo tifoz madrilen.
Pas një ceremonie që do t’i mbetet përgjithmonë në mendje dhe do t’i gdhendet në zemër, Marcelo reagoi në rrjetet sociale: "Jam shumë me fat që kam mundur ta shijoj futbollin deri në ditën time të fundit si lojtar profesionist. Faleminderit Real Madrid për nderimin madhështor në ‘Bernabéu’; një vend që do të jetë gjithmonë shtëpia ime. Faleminderit tifozëve të Real Madridit për dashurinë tuaj edhe një ditë tjetër. Gjithmonë HALA MADRID! Të dua, Real Madridi im!"
Në këto momente të paharrueshme dhe tani që gjithçka ka përfunduar, Marcelo dha një intervistë për RTVE, ku tregoi një anekdotë interesante mbi Cristiano Ronaldon, mikun dhe ish-shokun e tij të skuadrës te Real Madridi: "Marrëdhënia ime me Cristiano Ronaldon nisi me një sherr në kombëtare. Po luanim një miqësore mes Brazilit dhe Portugalisë, unë i bëra shumë faulle, sepse ishte shumë i shpejtë.
Ai u përgjigj me një goditje me bërryl dhe më kapi nga qafa. U përpoqa ta kapja edhe unë, por ishte shumë i gjatë… Pas ndeshjes, mora një mesazh që më tregonte se Real Madridi do ta blinte brenda dy muajsh. Mendova: Ok, më duhet t’i bëj mirë llogaritë po shkova atje. Sidoqoftë, për fat të mirë, gjithçka shkoi mrekullisht".


