Hapet Panairi i Turizmit IBT Berlin, Shqipëria vend nderi paraqitet në të gjitha ndjesitë
Shqipëria turistike i flet sot botës nga Berlini, me krenarinë e vendit të nderit në panairin më të madh global të turizmit IBT. Përfaqësuesit i ITB Berlin, organizues i panairit, Mario Tobias u shpreh se ndjehet krenar për këtë partneritet me Shqipërinë.
Ai u shprehu mirënjohjen për mikpritjen vitin e shkuar kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
“Bota e udhëtimit jeton këtu, askund tjetër! Dua të veçoj Shqipërinë, vendi pritës i 2025-ës. Jam shumë entuziast që është vendi mikpritës këtë vit. Përgjatë kësaj mbrëmjeje do t’ju marr me vete në një udhëtim mahnitës drejt këtij destinacioni tërheqës. Shqipëria ka pasur një prani të fortë në ITB për shumë e shumë vite, jemi krenarë që kemi një partneritet afatgjatë. Programi i sotëm premton që të mos jetë më pak se sa spektakolar dhe mezi pres që të shihni edhe më shumë”, tha ai.
Shqipëria si vendi i nderit i ITB Berlin 2025 prezanton evente, diskutime dhe përvoja gjithëpërfshirëse nën sloganin “All Senses” në panairin që nis të hënën e 3 marsit dhe përfundon të enjten, më 6 mars.
Shqipëria do të prezantojë trashëgiminë e saj të pasur natyrore e kulturore në tre ditët e këtij panairi global të turizmit dhe ceremoninë e hapjes më 3 mars.
Nën sloganin “Albania All Senses”, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë do të prezantojë buqetën e ofertave turistike të vendit nga data 4 deri më 6 mars 2025.
Përmes një axhende të pasur, Shqipëria do të përpiqet të përfshijë të gjithë pjesëmarrësit e këtij panairi t’i bashkohen një udhëtimi gjithëpërfshirës përmes larmisë së ofertave, një programi të zgjeruar eventesh, performancash dhe aktivitetesh.
