"Edhe nga Rusia janë gati për paqe"/ Trump: Zelensky i gatshëm për bisedimet e paqes dhe nënshkrimin e marrëveshjes për mineralet!
Kam marrë një letër të rëndësishme nga Volodymyr Zelensky, i cili thotë se është gati të ulet në tryezën e paqes dhe të nënshkruajë marrëveshjen për mineralet, deklaroi presidenti amerikan, Donald Trump në fjalimin e tij para kombit në Kongresin amerikan.
”Presidenti ukrainas është gjithashtu i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen për mineralet e rralla në çdo kohë”, shtoi Trump, duke thënë se ai vlerëson hapjen e Zelensky.
“Kemi marrë sinjale të forta edhe nga Rusia: ata janë gati për paqe”, tha më pas presidenti amerikan në Capitol Hill, duke nënvizuar se kishte pasur “diskutime serioze me Moskën.
“A nuk do të ishte e mrekullueshme? Është koha për t’i dhënë fund kësaj lufte të pakuptimtë”, theksoi ai.
“Unë po punoj pa u lodhur gjithashtu për t’i dhënë fund konfliktit brutal në Ukrainë”, janë fjalët e Donald Trump në fjalimin e tij para kombit, sipas deklaratave të publikuara nga Shtëpia e Bardhë.
“Miliona ukrainas dhe rusë janë vrarë ose plagosur pa nevojë në këtë konflikt të tmerrshëm dhe brutal, pa fund në dukje. SHBA ka dërguar qindra miliarda dollarë për të mbështetur Ukrainën. Evropa ka shpenzuar më shumë para për të blerë naftë dhe gaz rus sesa ka shpenzuar për të mbrojtur Ukrainën. Dhe Biden ka shpenzuar më shumë para se Evropa”, shtoi ai.
“Këtë javë, unë do të ndërmarr veprime historike për të zgjeruar në mënyrë dramatike prodhimin e mineraleve këtu në SHBA”, premtoi Trump.

