Trump para Kongresit zotohet se do të vendosë tarifa reciproke kundër Indisë dhe Kinës nga 2 prilli
Presidenti i SHBA Donald Trump në fjalimin e tij të përbashkët në Kongres të martën u zotua se do të vendosë tarifa reciproke kundër Indisë dhe Kinës nga 2 prilli 2025. Trump përmendi se “India dhe të tjerët po ngarkojnë tarifa të mëdha ” dhe shtoi se kjo ishte pjesë e planit të tij për ta bërë “Amerikën përsëri të madhe”. Trump tha se donte të vendoste tarifat reciproke nga 1 prilli, por nuk donte të “akuzohej për Ditën e Gënjeshtrave”.
Duke iu drejtuar Kongresit, Trump vuri në dukje se vendet e tjera kanë vendosur tarifa ndaj SHBA-së për shumë vite dhe tani ishte koha që SHBA të përdorë tarifa kundër këtyre vendeve. Ai tha se vende si Bashkimi Evropian, Kina, Brazili dhe India i ngarkojnë SHBA-së tarifa shumë më të larta se ato që u ngarkon SHBA-ja, duke e quajtur këtë situatë të padrejtë.
“India na ngarkon me tarifa 100 për qind, sistemi nuk është i drejtë me SHBA-në, nuk ka qenë kurrë. Më 2 prill fillojnë tarifat reciproke. Çfarëdo që të na taksojnë, ne do t’i taksojmë. Nëse ata përdorin tarifa jomonetare për të na mbajtur jashtë tregut të tyre , atëherë ne do të përdorim barriera jomonetare për t’i mbajtur ata jashtë tregut tonë”, tha Trump.
Më tej ai tha se SHBA do të gjeneronte triliona dollarë dhe do të krijonte një numër të paprecedentë vendesh pune. “Ne jemi zhveshur për dekada nga çdo vend në tokë dhe ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë më,” tha Presidenti i SHBA në fjalimin e tij të martën.
Në fjalimin e tij, Trump e bëri mjaft të qartë se vendet që nuk prodhojnë produktet e tyre në SHBA do të duhet të paguajnë tarifa, dhe në disa raste, tarifa të mëdha.

