Shpëtoi mbi 2 milionë foshnja! Ndërron jetë dhuruesi me gjakun “ilaç”, James Harrison njihej si njeriu me “krahun e artë”
James Harrison, i njohur ndryshe si njeriu me krahun e artë shpëtoi jetën e 2 milionë fonjave përvmes dhurimit të gjakut gjatë gjithë jetës së tij. Familja njoftoi vdekjen e 88 vjeçarit, i cili njihet si një nga dhuruesit më të njohur të gjakut në botë.
Një nga dhuruesit më të njohur të gjakut në botë plazma e të cilit shpëtoi jetën e më shumë se 2 milionë foshnjave ka ndërruar jetë në moshën 88 vjeçare.
James Harrison dha frymën e fundit në një shtëpi të moshuarish në New South Wales, Australi.
I njohur atje si njeriu me krahun e artë, gjaku i Harrison përmbante një antitrup të rrallë, Anti-D, i cili përdoret për të bërë ilaçe që u jepen nënave shtatzëna për të shpëtuar foshnjat e tyre kur këto të fundit janë në rrezik.
Shërbimi Australian i Gjakut i Kryqit të Kuq, i cili nderoi Harrison, tha se ai ishte zotuar të bëhej dhurues pasi kishte marrë transfuzione që i shpëtuan jetën në një operacioni të madh në gjoks kur ishte 14 vjeç.
Ai filloi të dhuronte plazmën e tij të gjakut kur ishte 18 vjeç dhe vazhdoi ta bënte këtë çdo dy javë deri në moshën 81-vjeçare.
Në vitin 2005, ai kishte rekordin botëror për plazmën e gjakut të dhuruar - një titull që ai e mbajti deri në vitin 2022.

Vajza e Harrison, Tracey Mellowship, tha se babai i saj ishte “shumë krenar që kishte shpëtuar kaq shumë jetë, pa asnjë kosto apo dhimbje”. “Ai gjithmonë thoshte se jeta që shpëton mund të jetë nesër e jotja”, tha ajo.
Ilaçet anti-D mbrojnë foshnjat e pa lindura nga një çrregullim vdekjeprurës i gjakut i quajtur sëmundja hemolitike e fetusit ose HDFN.
Gjendja ndodh gjatë shtatzënisë kur qelizat e kuqe të gjakut të nënës nuk përputhen me ato të foshnjës së tyre në rritje.
Më pas, sistemi imunitar i nënës i sheh qelizat e gjakut të foshnjës si një kërcënim dhe prodhon antitrupa për t'i sulmuar ato. Kjo mund të dëmtojë seriozisht foshnjën, duke shkaktuar anemi të rëndë e deri në humbje jete të foshnjës.


