Trump “bekon” paratë digjitale, zgjedh 5 kriptomonedha për “rezervë federale”! Bitcoin dhe 4 të tjera “fluturojnë” pas vendimit të presidentit të SHBA

Vlera e kriptomonedhave u rrit ndjeshëm pasi Presidenti Donald Trump zbuloi 5 paratë digjitale që do të përfshihen në rezervën strategjike të SHBA. Bitcoin, kriptomonedha më e madhe në botë sipas vlerës së tregut, u rrit me më shumë se 20%, duke nxitur optimizëm në treg për përfshirjen e qeverisë amerikane në ekonominë e kriptove.

Çmimet e kriptomonedhave u rritën ndjeshëm pasi Presidenti  Donald Trump njoftoi planet për të krijuar një "Rezervë Strategjike" me qëllimin për ta bërë SHBA-në "Kryeqytetin e Kriptos në Botë".

Trump tha  përmes një postimi në Truth Social se urdhri i tij ekzekutiv i janarit mbi asetet dixhitale do të krijojë një rezervë të kriptomonedhave që do të përfshijë Bitcoin, Ethereum, XRP, Solana dhe Cardano.

“Bitcoin dhe Ethereum do të jenë në zemër të kësaj rezerve,” theksoi presidenti I SHBA, deklarata e të cilit ishte një bekim për këto 5 para digjitale.

Bitcoin, kriptomonedha më e madhe në botë sipas vlerës së tregut, u rrit me më shumë se 20%, duke arritur rreth 93,057 dollarë nga 78,273 dollarë të premten.

Ethereum u rrit me 10%, ndërsa XRP, Solana dhe Cardano pësuan rritje përkatësisht prej 31%, 15% dhe 69%

Kjo lëvizje sinjalizon një ndryshim drejt pjesëmarrjes aktive të qeverisë së SHBA-së në ekonominë e kriptomonedhave, me potencialin për të përshpejtuar adoptimin institucional, për të ofruar qartësi më të madhe rregullatore dhe për të forcuar udhëheqjen e SHBA-së në inovacionin e aseteve dixhitale.

Menjëherë pas marrjes së detyrës në janar, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për krijimin e një grupi pune presidencial të ngarkuar me propozimin e ligjeve dhe rregulloreve të reja për kriptovalutat.

Urdhri i kërkonte grupit të "vlerësonte krijimin dhe mirëmbajtjen e një stoku kombëtar të aseteve dixhitale", i cili mund të përdorte "kriptomonedha të konfiskuara ligjërisht nga qeveria federale përmes operacioneve të saj të zbatimit të ligjit".

Ende nuk është e qartë nëse krijimi i një rezerve strategjike kombëtare të SHBA do të kërkojë miratim nga Kongresi.

Megjithatë më shumë informacion pritet të publikohet të premten, kur Trump planifikon të organizojë Samitin e parë të Kriptos në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti I SHBA më herët ka qenë mosbesues ndaj kriptomonedhave, teksa në vitin 2021 I cilësoi mashtrim, por në javët e fundit, si ai ashtu edhe bashkëshortja e tij, Melania Trump, kanë lançuar kriptomonedhat e tyre, duke u përballur me akuza se po përpiqen të përfitojnë nga politikat e tij në Shtëpinë e Bardhë.