VIDEO/ 5 vjetori i tubimit të 2 marsit, Meta reagon nga qelia: Mbrojtja e Kushtetutës, rëndësi jetike

Ish-Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar nga qelia në 5-vjetorin e tubimit të madh të 2 marsit, ku mijëra qytetarë ju përgjigjen thirrjes së kreut të shtetit për të mbrojtur Kushtetutën, Gjykatën Kushtetuese dhe ‘shtetin e së drejtës’.

Në një reagim në rrjetet sociale, zoti Meta akuzoi Kryeministrin Rama se shkatërroi konsensusin e 140 votave të reformës në drejtësi teksa sot kërkon të eleminojë çdo gjyqtar me integritet që ka mbetur në Gjykatën Kushtetuese.

“Mirënjohje pa fund popullit të 2 Marsit, që protestoi si kurrë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë kundër ligjit antikushtetues për ‘betimin te Lana’ të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, i cili për fat të keq ‘u bekua’ edhe nga McGonigalët e korruptuar ndërkombëtarë, por edhe kjo tentativë dështoi me turp dhe u hodh në koshin e plehrave edhe nga Komisioni i Venecias.

Kryetari i Organizatës Kriminale, shkatërroi konsensusin e 140 votave të reformës në drejtësi duke kapur hetimin përmes 69 votave të turpshme antikushtetuese, me të cilat rrëmbeu Prokurorin e Përgjithshëm dhe përmes saj realizoi kapjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe SPAK me qëllimin e vetëm për të siguruar pandëshkueshmërinë e tij për krimet shumë të rënda shtetërore të panumërta, që rëndojnë mbi të.

Kryetari i Organizatës Kriminale tani pas 5 vitesh nga mitingu i jashtëzakonshëm i 2 Marsit kërkon të eleminojë në mënyrë mafioze dhe antikushtetuese edhe çdo gjyqtar me integritet, që ka mbetur në Gjykatën Kushtetuese sepse e tmerron e vërteta e hidhur edhe kur është pakicë.” tha Meta.

Presidenti i Partisë së Lirisë thekson në reagimin e tij se sot është dita për të kuptuar më shumë se kurrë rëndësinë jetike të mbrojtjes së Kushtetutës dhe të rikthimit të saj në ‘shinat veneciane’, si garantuesja e vetme e Lirisë, Sovranitetit, Demokracisë dhe e Pluralizmit. Meta thekson se këto janë më të rrezikuara se kurrë më parë nga Narkobanda e ‘Rilindjes’, që ka kapur çdo institucion të shtetit dhe që me korrupsionin e saj të shfrenuar plaçkit çdo ditë miliarda euro të taksave, që ka shkretuar vendin dhe familjet shqiptare duke dëbuar një milion shqiptarë.