“LAZARATI 2”/ Gjykata e Lartë vulos dy burgime të përjetshme. Ulet dënimi për Alban Alikon dhe Erjon Kasmën

Albion Aliko dhe Bajram Boci  do të vuajnë dënim me burgim të përjetshëm për sulmin ndaj forcave Speciale RENEA ku u vra Ibrahim Basha në vitin 2015. Gjykata e Lartë la në fuqi vendimet, ndërsa uli dënimet për dy të akuzuar të tjerë. Ndërkohë 5 të dënuar të tjerë do të rigjykohen nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gykata e Lartë ka vulosur përfundimisht dënimin me burg për jetë për Albion Alikon dhe Bajram Boçin, të akuzuar si anëtarë të të ashtuquajturit “Grupi i Zjarrit” në Lazarat, që sulmoi forcat speciale RENEA gjatë një operacioni ku mbeti i vdekur efektivi Ibrahim Basha, në qershor të vitit 2015.

Shkalla e tretë e gjyqësorit ka ndryshuar dënimet vetëm për Alban Alikon dhe Elson Kasmën, që po ashtu ishin të përfshirë në ngjarje, sipas akuzës.

Pas shqyrtimit të ccështjes,  Gjykata e Lartë përcaktoi se ata do të vuajnë nga 12 vite burg, dhe jo nga 20 dhe 18 vjet heqje lirie që ishin dënuar me parë.

Rreth dy muaj më parë po gjykata e lartë ka vendosur të rigjykojë atë që njihet si dosja e pare Lazarati, ku nën akuzë janë Arbjon Aliko, Gërgux dhe Enrik Skenderi, Alfred Proko dhe Beqo Brahimi.

Këta persona u dënuan me 52 vite burg në total, por Gjykata e Lartë ka gjetur shkelje proceduriale në vendimin e apelit dhe në zbardhje e tij.

Në mesnatën e datës 24 qershor 2015, forcat e policisë nisën operacion në zonën e Lazaratit, pasi kishin informacione se disa të rinj po përgatiteshin për veprime kriminale.

Gjatë kontrolleve, pranë qendrës së fshatit, forcat speciale të policisë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Xhulio Malo, i cili po drejtonte një mjet, ku gjendeshin armë të ndryshme dhe lëndë narkotike kokainë.

Pas arrestimit, forcat speciale kanë njoftuar kolegët e tyre, të cilët gjendeshin në një furgon, për të realizuar shoqërimin e Malos.Në momentin që furgoni po afrohej, ndaj tij është qëlluar me armë zjarri, nga një largësi rreth 200 metra.

Nga goditjet me armë ka mbetur i vdekur efektivi i policisë, Ibrahim Basha, si edhe janë plagosur efektivët Jetmir Isai dhe Perlat Hamitaj.

Më pas procedimi u nda në dy fraksione, ku tashmë të ashtuquajturit grupi i zjarrit i Lazaratit u njohën zyrtarisht edhe me vendimin e Gjykatës së Lartë.

VENDIMI I GYKATËS SË LARTË

1-Albion Aliko - burgim i përjetshëm

2- Bajram Boci – burgim i përjetshëm

3- Alban Aliko -12 vite burg

4-Elvis Boci -35 vite burg

5-Elson Kasma -12 vite burg

6-Xhulio Malo -10 vjet burg

7-Klodian Selimi -13 vjet burg

8-Oltion Proko -9 vite burg

9-Dervish Gaba -15 vite burg

10-Luan Hija -15 vite burg

11-Iljaz Xhaferri -15 vite burg